Ndërlidhjet

Beteja për vendlindjen e Gadafit


Kryengritësit libianë
Kryengritësit libianë
Kryengritësit libianë ndodhen në periferi të vendlindjes së Muamer Gadafit, çfarë duket të jetë beteja e fundit për kontrollin e vendit.

Sirte është një nga bastionet e fundit që ka mbetur në duart e forcave të regjimit, prejse rebelët kanë hyrë në Tripoli dhe kanë marrë kontrollin e selisë së Gadafit, Baba al-Azizia.

Raportet flasin për luftime të ashpra edhe në perëndim të vendit, përkatësisht në qytetin Zuvarah.

Muhamed al-Fortija, komandant i kryengritësve nga Misurata, tha se forcat e tij janë futur 30 kilometra në perëndim të Sirtes, ndërsa rebelët e tjerë kanë marrë Bin Xhavadin, rreth 100 kilometra në lindje.

Vendndodhja e Gadafit mbetet e panjohur, por ka spekulime se ai ka kërkuar strehim në mesin e mbështetësve fisnorë në Sirte.

Një numër i konsiderueshëm i trupave të tij kanë shkuar drejt Sirtes, pas rënies së Bab al-Azizias në duart e kryengritësve.

Fortija tha se të dërguarit e kryengritësve kanë biseduar me liderët fisnorë për “dorëzimin paqësor të Sirtes”, por këto negociata duket të jenë lëkundur sot.

Mahmud Shamam, zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, tha se rebelët duan të unifikojnë Libinë sa më shpejt që të jetë e mundur, por ai tërhoqi vërejtjen se negociatat nuk do të zgjasin përgjithmonë.

Ndërkohë, në ditët e fundit, aeroplanët e NATO-s kanë qëlluar shumë caqe të Sirtes, duke shkatërruar mbi 50 automjete ushtarake, dy strehimore të tyre dhe një ndërtesë të inxhinierëve ushtarakë.

Në Tripoli, largimi i trupave të Gadafit ka lejuar gazetarët dhe aktivistët e huaj të të drejtave të njeriut të zbulojnë atë që ata e kanë quajtur “provë të krimeve të tmerrshme kundër kundërshtarëve politikë të regjimit”.

Human Rights Watch tha se ka mbledhur dëshmi, të cilat “sugjerojnë fuqishëm” se forcat qeveritare të Muamer Gadafit kanë kryer vrasje arbitrare në Tripoli.

Në Bengazi, që është bastion i kryengritësve, zëdhënësi i opozitës ushtarake, kolonel Ahmed Omar Bani, tha se mbi 10 mijë robër janë liruar nga burgjet e Gadafit që nga rënia e Tripolit, por gati 50 mijë të tjerë figurojnë ende të zhdukur.

Ai shprehu shqetësimin se robërit e zhdukur mund të jenë ekzekutuar, ose mund të mbahen në fortifikata nëntokësore, nga ku nuk mund të dalin dhe rrezikojnë të vdesin.

Ministri i Drejtësisë në qeverinë e përkohshme të rebelëve, Muhamed al-Alagi, tha se akuzat do të hetohen dhe se udhëheqësit ushtarakë të Gadafit do të dalin para gjyqit.

Alagi tha po ashtu se Këshilli nuk do të ekstradojë të dënuarin për sulmet në Lokërbi, më 1988.

Abdel Baset al-Megrahi, i cili është diagnostikuar me kancer, ka qëndruar tetë vjet në një burg skocez, për organizimin e bombardimeve në Lokërbi, nga të cilat humbën jetën 270 njerëz.

Ai është liruar në vitin 2009 për “arsye të dhimbshme”, pasi mjekët i dhanë vetëm disa muaj kohë për të jetuar.

Kohët e fundit ka pasur thirrje që ai të dërgohet për gjykim në Shtetet e Bashkuara, por Alagi e hodhi poshtë një mundësi të tillë.

Ne nuk do t’i dorëzojmë Perëndimit asnjë shtetas të Libisë. Abdel Baset al-Megrahi tashmë është gjykuar njëherë dhe nuk do të gjykohet përsëri.
Ne nuk do t’i dorëzojmë Perëndimit asnjë shtetas të Libisë. Abdel Baset al-Megrahi tashmë është gjykuar njëherë dhe nuk do të gjykohet përsëri”, tha Alagi.

Përderisa Këshilli Kombëtar i Tranzicionit po bën përpjekje të rivendosë shërbimet bazë në Tripoli, Liga Arabe i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të zhbllokojë miliarda dollarë asete të Libisë.

Këshilli Kombëtar i Tranzicionit thotë se rreth 70 për qind e shtëpive në Tripoli kanë mungesë të ujit, për shkak të dëmtimit të rrjetit, ndërsa uji i pijshëm u sigurohet nga xhamitë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG