Ndërlidhjet

logo-print

Polemika të ashpra rreth bisedimeve


Parlamenti i Kosovës

Parlamenti i Kosovës

Vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi ka nxitur polemika dhe mospajtime ndërmjet deputetëve të opozitës dhe kryeministrit Hashim Thaçi.

Paralajmërimi i takimit të radhës Prishtinë – Beograd me 2 shtator në Bruksel, nga një pjesë e opozitës është vlerësuar si poshtërim pas veprimeve të fundit të Beogradit, i cilësuar si përgjegjës për vrasjen e një polici, vendosjen e barrikadave nëpër rrugë, dhunën dhe sulmet ndaj pikave doganore.

Mirëpo, ishte kryeministri Hashim Thaçi ai i cili e cilësoi dialogun si një proces krejt normal që zhvillojnë vendet e civilizuara.

Pas vendosjes së masave të reciprocitetit dhe, siç tha kryeministri Thaçi, realitetit të ri të krijuar në pikat doganore, tani Kosova sipas tij, është në një pozicion shumë më të mirë në tavolinën e bisedimeve.

Ka ndodhur demaskimi dhe dështimi i plotë i politikës së Beogradit për ndarjen e Kosovës njëherë e përgjithmonë. Ky demaskim solli edhe reagimin më të qartë nga BE-ja dhe SHBA-të lidhur me tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Kosovës, shuarjen e strukturave ilegale dhe kriminale dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën”, është shprehur Thaçi.

Në anën tjetër, nënkryetari i Kuvendit, nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se vazhdimi pa asnjë kusht i dialogut pas zhvillimeve të fundit në veri, bëhet për interesa të kryeministrit Thaçi dhe në kundërshtim me interesat e Kosovës.

Konjufca rikujtoi se pala kosovare do të detyrohet të ulet në tavolinën e bisedimeve me njeriun i cili u ka prirë grupeve të serbëve në veri që sulmuan pikat doganore dhe institucionet e shtetit të Kosovës.

Me vet faktin që Qeveria e Kosovës nuk i ka vendosur kurrfarë kushti Serbisë, e cila është përgjegjëse për sulmin mbi kufijtë tanë shtetërorë dhe po shkon të ulet sërish e poshtëruar në tavolinën e bisedimeve me Serbinë agresore, tregon qartë që përfaqësuesi i delegacionit të Kosovës do të shkojë në bisedime dhe do të ulet e do t’i shtrëngojë duart, e të qeshë kamerave, bashkë me udhëheqësin e ekspeditës së armatosur serbe mbi kufijtë tanë republikan, Borisllav Stefanoviqin. Ata do të qeshin me njeriun i cili në fakt duhet të mbahet përgjegjës për vrasjen e policit tanë të rënë në krye të detyrës, heroin e Kosovës, Enver Zymberi”, ka thënë Konjufca.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi duke replikuar me qëndrimet e deputetit të Vetëvendosjes tha se qëndrimet e këtij subjekti paraqesin politika të mentalitetit të vjetër.

Gardianët e vetëshpallur të pavarësisë së Kosovës duhet ta kenë të qartë njëherë e përgjithmonë, koha kur referencat dominante politike kanë qenë fjalët tradhtar e patriot kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë në Republikën e Kosovës. Për lirinë e çlirimin e Kosovës të gjithë qytetarët janë meritorë. Kosova është e pavarur, sovrane dhe e tërë. Si klasë politike e kemi për detyrë që nivelin e debatit politik ta zhvillojmë përtej sintagmave ky apo ai është tradhtar, ky apo ai po e shet Kosovën”, ka deklaruar Thaçi.

Mirëpo, deputeti Konjufca tha se zhvillimet në veri dhe tensionet atje në kohën e mbajtjes së bisedimeve, janë veprime të koordinuara të politikës së Serbisë, të ndihmuara edhe nga qeveria e Kosovës, për të imponuar çështjen e veriut si temë në kuadër të këtij dialogu.


Tash kur pikat e djegura doganore po përfundojnë në negociata me Serbinë, por rikonfigurohet edhe më qartë qëllimi i ndërhyrjes së qeverisë më 25 korrik. Plani paska qenë që vetëm të provokohet Serbia, që të tërhiqen forcat, që strukturat e Serbisë t’i djegin pikat doganore, dhe kështu të krijohet një ngjarje aq e bujshme sa të jetë e denjë për të përfunduar në negociata, sepse përndryshe pa kurrfarë eksesi, pa një dhunë të kontrolluar, kufijtë e Kosovës zor se do të ishin bërë temë e negociatave”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa debatet për vazhdimin e dialogut pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës po vazhdojnë, kryenegociatorja Edita Tahiri ka thënë sot se agjenda dhe mbajtja e takimit të radhës pritet të qartësohet të martën, kur në Prishtinë, sipas saj, do të qëndron ndërmjetësi i BE-së në këto bisedime, Robert Kuper.

Çështja më e ndjeshme e këtyre bisedimeve mbetet përfshirja eventuale e temave të reja politike, siç është gjendja në pikat doganore 1 dhe 31 në bisedime, krahas temës së vulave të doganave e cila është paralajmëruar se do të diskutohet.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG