Ndërlidhjet

12 vjet pas, 1811 persona të pagjetur


Të pagjeturit...
Të pagjeturit...

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur janë qindra familje kosovare që presin të zbardhet fati i familjarëve të tyre cilët u zhdukën gjatë luftës së fundit në Kosovë.

1811 persona ende figurojnë në listën e të pagjeturve. Në mesin e tyre është 0065dhe i biri i Bajram Qerkinit, Reshati.

Bajram Qerkini shprehet i pakënaqur me angazhimin e institucione rreth kësaj çështje.

Është e rende kjo pritje. Vetëm ai që ka fëmijë dhe nuk e din se ku e ka fëmijën e beson. Është e rëndë për secilin, jo vetëm unë që e kam djalin po edhe ajo nënë që ia kanë marrë fëmijën nga prehri dhe për të gjithë familjarët të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre është e rëndë deri sa të zbardhet fati i tyre”, shprehet Qerkini.

Ndryshe, sipas të dhënave të Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, aktualisht në Kosovë figurojnë si të zhdukur 1811 persona, kryesisht shqiptarë, por edhe të nacionalitetit serb, rom dhe të komuniteteve tjera.

Zbardhja e këtyre personave, tash e 12 vjet vazhdon të jetë brengë e familjarëve të këtyre personave, por edhe e autoriteteve kosovare.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri thotë se çështja e të pagjeturave që nga viti 1999 vazhdon të jetë një çështje shumë e rëndë dhe shqetësuese.

Ajo thekson se në kuadër të dialogut me Serbinë kanë kërkuar që të gjitha varrezat masive të cilat ende nuk janë zbuluar apo hulumtuar të bëhen, dhe po ashtu siç thekson Tahiri, është kërkuar nga Beogradi t’i sjellin të gjitha të dhënat në mënyrë që kjo çështje të shkojë drejt zgjidhjes.

Dialogu dhe një rol më i fuqishëm i Bashkimit Evropian është formua që ne po e kërkojmë për një zgjidhje të plotë. Deri më tani ka pasur një zgjidhje dialog midis ekipit tonë shtetëror dhe të ish okupatorit tonë Serbisë, i cili ka punuar në këtë çështje. Mirëpo, ka nevojë për një rol më të madh të faktorit ndërkombëtarë dhe një rol të fokusuar dhe ne kemi kërkuar që kjo çështje të shtrohet edhe në dialog dhe Bashkimi Evropian të merr obligime për ta shtyre përpara ketë proces”, thekson ajo.

Edhe Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, thotë se janë duke u angazhuar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Dita ndërkombëtare e të pagjeturve shënohet në çdo vend të botës dhe edhe ne si pjesë e botës patëm fatin që të humbim shumë njerëz në luftë dhe të mos dimë për fatin e tyre. Edhe ne jemi këtu që të angazhohemi për ndriçimin e fatit të të pagjeturve”, thotë ai.

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Pagjeturve, Këshilli Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, organizoi një aksion simbolik në Prishtinë, për të sensibilizuar opinionin në lidhje me këtë problem, që po zvarritet tash 12 vjet.

Kryetari i këtij Këshilli, Haki Kosumi, thotë se janë të vendosur dhe nuk do të ndalen deri në zbardhjen e fatit të qytetarit të fundit të evidentuar në listën e të pagjeturve.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë tonë dhe faktorit ndërkombëtarë dhe i tregojmë botës se edhe ne jemi pjesë e saj dhe sot shënojnë ditën e dhimbjes globale ditën e dhimbjes ndërkombëtare, e cila për fat të keq e ka goditur edhe Kosovën”, thekson ai.

Ndryshe, çështja e personave të pagjetur nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë vlerësohet të jetë një ndër çështjet parësore, për të cilat duhet të ketë një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.
XS
SM
MD
LG