Ndërlidhjet

Kuvendi i thotë jo fesë në shkolla


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Deputetët e Kuvendit të Kosovës i dhanë fund një debati për futjen ose jo të edukatës fetare si lëndë mësimore në shkolla duke hedhur poshtë këtë propozim, që u dërgua për votim në formë të amendamentit në ligjin për arsimin para-universitar.

Kuvendi ka votuar kundër amendamenteve 7 dhe 8 të propozuara nga grupi parlamentar Koalicioni për Kosovën e re, ku njëri fliste kundër diskriminimit fetar në shkolla, të cilën deputetët e interpretuan si lejim të shamisë në shkolla, dhe tjetri për futjen e lëndës së edukatës fetare në shkolla.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka thënë se është në dorë të Kuvendit miratimi i ndryshimeve, por, megjithatë, ka vënë në dukje, tendencat e sponsorizuesve, të cilat nga disa deputetë edhe janë quajtur tentim për shkelje të kushtetutës.

Po i dimë të gjithë bashkë gjitha tendencat e propozuesve. Debati ka degjeneruar dhe s’është faji im, pse ka degjeneruar debati. Këtu ka qenë problemi: amendamenti nr 7 dhe ai nr 8 lidhen mes vete, apo lidhshmëria është e pashkëputshme”, tha Buja.

Mbështetësit e amendamenteve, deputetët kryesisht të Partisë së Drejtësisë kanë argumentuar se edukata fetare dhe bartja e shamisë janë vlera e standarde evropiane, dhe si të tilla duhet të përqafohen edhe nga kosovarët.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, që është neuropsikiatër me profesion, ka thënë se nga mungesa e mësim-besimit në shkolla, po pëson shoqëria, veçanërisht të rinjtë.

Prevalenca e vetëvrasjeve është katërfishuar në periudhën e pasluftës, a kemi qenë shteti, populli me prevalencën më të ultë në Evropë në vitet e 60-ta. Janë këto fakte që duhet të na shtyjnë të mendojmë”, tha Agani.

I shpejtë ka qenë reagimi i deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatçia, e cila hodhi poshtë argumentet e Aganit.

Ajo tha se shoqëria kosovare ende nuk është e gatshme që të hapë debat mbi një çështje kaq të ndjeshme si edukata fetare në shkolla.

Thatë se viteve 60-ta ka pasur më së paku vetëvrasje. Por me sa di unë, viteve të 60-ta nuk ka pasur edukatë fetare prandaj nuk mundet vitet e 60-ta dhe vetëvrasjet të arsyetohen me futjen e edukatës fetare si lëndë mësimore”, tha Sahatçia, për të shtuar se aktualisht nuk ka mirëkuptim mes konfesioneve.

“Është herët, sepse nuk ka konsensus jashtë, edhe ne nuk mundemi këtu ta mbështesim sepse është para kohe”, tha Sahatçia.

Në anën tjetër, deputeti i PD-së, Jeton Svirca tha se duke i propozuar ndryshimet, kanë marrë për bazë Kushtetutën e Kosovës.

Ne jemi mbështetur edhe në Kushtetutën e Kosovës, konkretisht tek neni 22, i cili flet për zbatimin e drejtpërdrejtë të marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare. Në rend të parë e cek Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe më lart shkruan se këto tetë dokumente ndërkombëtare kanë prioritet në rast konflikti me ligjet në Kosovë”, tha Svirca.

Por, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, thotë se futja e edukatës fetare në shkolla do të shkelte Kushtetutën, pasi që ajo e përcakton Kosovën si një shtet laik.

Ky amendament e shkel Kushtetutën e Kosovës dhe tenton që të ndërhyjë edhe në ligjin për arsimin parauniversitar.
Askush asnjëherë nuk ka tentuar që feve të ndryshme në Kosovë, që për fat janë të shumta dhe nuk janë vetëm tri, t’u mos u garantojmë këtë të drejtë. Ky amendament e shkel Kushtetutën e Kosovës dhe tenton që të ndërhyjë edhe në ligjin për arsimin parauniversitar”, tha Brovina.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani
ka kritikuar sponsorizuesit e amendamenteve, duke thënë se me deklaratat e tyre po i fyejnë inteligjencën e deputetëve, por edhe të publikut. Ai hedh dyshime në synimet e propozuesve.

Si fyhet kështu inteligjenca jonë, duke thënë se korrupsioni në institucionet publike hiqet, duke u futur këtë lëndë në shkollat publike. Këto janë të papranueshme edhe për diskutim”, tha Ramadani.

Kërkesat për futjen e edukatës fetare dhe lejimi i bartjes së shamisë janë rritur në vitet e fundit, ndërsa për to, janë mbajtur disa protesta në Prishtinë.

E përfshirë gjithnjë në këtë debat, Ministria e Arsimit, ka mbrojtur qëndrimin për moslejimin e tyre, duke marrë për bazë dispozitat kushtetuese.
XS
SM
MD
LG