Ndërlidhjet

Besimtarët myslimanë festojnë Bajramin


Pranë Xhamisë së Madhe në Prishtinë, 30 gusht 2011.

Pranë Xhamisë së Madhe në Prishtinë, 30 gusht 2011.

Besimtarët e fesë islame në Kosovë festojnë sot Ditën e Fiter Bajramit.
Manifestimi qendror i faljes është mbajtur në Prishtinë, në Xhaminë e Madhe – Sulltan Mehmet Fatih, me ç’rast besimtarëve myslimanë u është drejtuar myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili ka dhënë porosinë për kultivimin e tolerancës, dashurisë ndër-njerëzore dhe të humanitetit.

Myftiu Tërnava tha se festa e Fiter Bajramit është e një rëndësie të veçantë për besimtarët që kanë agjëruar Muajin e Ramazani dhe që kanë shprehur përkushtim ndaj Krijuesit të Gjithësisë. Ai bëri thirrje për vazhdimin e shkëmbimit të mesazheve të mira mes njerëzve.

“Është i mirënjohur fakti se Islami urdhëron njeriun në drejtësi, mirësinë ndaj prindërve, bonjakëve, të shkretëve, fqinjëve të afërt, të largët, shokut pranë dhe udhëtarëve. Islami inicion sinqeritetin, besnikërinë, durimin, bujarinë, ndershmërinë, trimërinë, butësinë, altruizmin si dhe ndihmën në të mirë dhe devotshmërinë. Feja e Allahut i ndalon ligësitë, poshtërsitë, imoralitetin, shtypjen, padrejtësinë, ngatërresat, tradhtinë, dyfytyrësinë e tjera”, tha Tërnava.

Ai tha se nuk do të kishte dashur që në ditën e kësaj feste të adresonte kritika për institucionet, por, megjithatë, këto institucione, sipas tij, nuk kanë marrë parasysh kërkesat e besimtarëve myslimanë për futjen e lëndëve fetare në shkolla, andaj edhe nuk mund të qëndronte indiferent.

Tërnava tha se deputetët mund të votojnë për apo kundër, por askush nuk ka të drejtë të fyejë, siç tha ai, ndjenjat fetare islame.

“Nuk është pronë e askujt që Islami të fyhet në raport me atë se jo do të hyjë, jo nuk do të hyjë lënda fetare nëpër shkolla. E drejtë e çdo anëtari të Parlamentit është që të votojë ligjin apo jo, por nuk është e drejtë e askujt që të fyejë identitetin islam. Kjo ka ndodhur dje fatkeqësisht nga disa, po e theksoj, parlamentarë në Parlamentin e Kosovës”, u shpreh Tërnava.

Prishtinë, 30 gusht 2011.

Bashkësinë Islame të Kosovës e kanë vizituar sot edhe presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, si edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Byler, dhe përfaqësues të Kishës Katolike.

Kryeministri Thaçi përgëzoi të gjithë besimtarët myslimanë, duke thënë se Bashkësia Islame po luan një rol të rëndësishëm në proceset, nëpër të cilat po kalon vendi.

“Është festë e solidaritetit, mirëkuptimit, tolerancës, dashurisë mes njerëzve, kujtimit të së kaluarës me krenari, por natyrisht edhe e ndërtimit dhe angazhimeve, vizionit tonë për të ardhmen - për ndërtimin e shtetit tonë demokratik, të tolerancës fetare, qytetare e ndëretnike”, tha Thaçi.

Komandanti i KFOR-it, Erhard Byler, tha se kjo ishte vizita e tij e fundit në Bashkësinë Islame, pasi që ai ndodhet në fund ta mandatit.

“Të gjithë qytetarëve të Kosovës u uroj Festën e Fiter Bajramit, që të festojnë në rrethin familjar. Ndërkaq, Kosovës i dëshiroj të gjitha të mirat në të ardhmen. E falënderova myftiun Tërnava për bashkëpunimin e ngushtë dhe e vlerësoj këtë me mirënjohjen më të lartë”, tha gjenerali Byler.

Bashkësinë Islame e ka vizituar edhe Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji.

“Sikurse edhe çdo festë tjetër, është festë e relaksimit shpirtëror, e kënaqësisë shpirtërore dhe mundësi që prej zemrës të gufojë dashuria dhe paqja për të gjithë njerëzit. Kështu që besoj se do të na ndjekë kjo jetë e përbashkët dhe ky komunikim i ndërsjellë, që të jemi gjithmonë së bashku sikur bijtë e Zotit, por edhe si shqiptarë”, tha Dodë Gjergji.

Bashkësinë Islame e vizituan edhe përfaqësues të partive politike dhe të korit diplomatik në Kosovë.




  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG