Ndërlidhjet

logo-print

Përgatitjet e vonuara për Raportin e Progresit


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Në fillim të sesionit vjeshtor, Kuvendi i Kosovës ka nisur të miratojë me procedurë të përshpejtuar një sërë ligjesh që janë identifikuar si prioritare nga zyrtarët e lartë të Komisionit Evropian.

Megjithatë, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, shpreh rezervat e saj për një vlerësim pozitiv të Komisionit në lidhje me përmbushjen e këtij kriteri, për shkak të, siç thotë ajo, vonesave të shkaktuara nga ana e ligjvënësve.

“Raporti i Progresit nuk mund të jetë më i mirë se realiteti e realiteti është se ne kemi proceduar fare pak ligje. Ndonëse si qeveri i kemi proceduar në Kuvend të gjitha projektligjet, Raporti i Progresit identifikon si sukses jo punët në proces, por punët e kryera. Unë pres që në ditët e mbetura të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës të rrisin dinamikën e punës, në mënyrë që të kemi një raport më pozitiv”, thotë për Radion Evropa e Lirë ministrja Çitaku.

Ajo thotë se kërkesat e identifikuara nga komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle, janë përmbushur nga Qeveria, por jo edhe nga institucionet tjera.

Vlora Çitaku
Të 21 ligjet prioritare që janë evidentuar nga komisionari Fyle, janë në Parlament. Në do të shënohen si progres apo jo, varet nga angazhimi që do ta kenë deputetët e Republikës së Kosovës për t’i proceduar më tutje këto ligje. Shumë prej tyre janë në lexim të dytë, por ka edhe nga ato që janë në lexim të parë”, shprehet Çitaku.

Megjithatë, deputetët kanë shprehur rezerva për procedurat e përshpejtuara, me të cilat po miratohen këto projektligje.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, një ditë më parë, ka braktisur seancën e Kuvendit, duke thënë se “kjo praktikë e të funksionuarit të Kuvendit vetëm në bazë të agjendës së Qeverisë dhe vullnetit të qeveritarëve, është dëshmuar edhe në të kaluarën si praktikë jo e drejtë, jodemokratike dhe jashtëzakonisht e dëmshme dhe jopraktike”.

“Një nguti e tillë e votimit në Kuvend pat ndodhur gjatë miratimit të Planit të Ahtisarit dhe pakos së ligjeve që rridhnin nga ky plan. Kështu, atëbotë, nga Kuvendi u vodh miratimi i vazhdimit të një Kosove pa sovranitet institucional e popullor. Kjo mënyrë e miratimit të ligjeve na tregon sot shumë qartë se çfarë gabimesh me pasoja afatgjata rrjedhin nga ky lloj i ngutjes së planifikuar nga Qeveria apo pushteti”, thuhet në një njoftim për media të Vetëvendosjes.

Sido që të jetë, nuk janë vetëm ligjet ato që ndikojnë në notimin në Raportin e Progresit. Sistemi i drejtësisë, sundimi i ligjit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, liria e mediave dhe një sërë çështjesh tjera zënë vend në këtë raport.

Në pothuaj të gjitha këto fusha, në vitin e kaluar, Komisioni Evropian ka dhënë vlerësime negative.

Kësaj here, pritet që në raport të futet edhe veprimi i Qeverisë më 25 korrik në veri, për të cilën gjë është kritikuar menjëherë nga zyrtarët e lartë të BE-së, për shkak të, siç thuhej, moskoordinimit. Për këto ngjarje, ministrja Çitaku pret dy lloj vlerësimesh.

“Padyshim që edhe ngjarjet në veri do të jenë pjesë e Raportit të Progresit dhe këtu janë dy dimensione: dimensioni politik, i cili mund të jetë produkt i interpretimeve të ndryshme subjektive, dhe ai real, teknik. Ju e dini që kontrolli i integruar i kufirit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë parakushte për procesin e integrimit evropian dhe veprimet që i ka marrë Qeveria e Kosovës më 25 korrik, janë në funksion të përmbushjes së këtij kriteri”, thekson Çitaku.


Mosuniteti i BE-së

Edhe po qe se përmbushen kriteret e kërkuara nga BE-ja, nuk dihet se kur do të zgjidhen problemet e BE-së në raport me Kosovën. Për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet anëtare, BE-ja vazhdon të mos ketë një qëndrim unik në lidhje me shtetin e ri.

Analistja e integrimeve evropiane, Verena Knaus, thotë se Kosova do të ndeshet shumë shpejt me këtë problem, kur të vijë koha e lidhjes së marrëdhënieve kontraktuale.
Evropa ka investuar shumë në Kosovë dhe rrezikon të humbasë, për shkak të mosunitetit për Kosovën.

“Shumica e vendimeve të politikës së jashtme dhe vendimet për pranim kërkojnë mbështetjen e 27 vendeve anëtare. Kjo paraqet problem edhe për vendet që nuk kanë probleme me njohje, si Maqedonia apo Shqipëria, sepse mund të jenë një ose dy shtete që bllokojnë për ndonjë arsye”.

“Në rastin e Kosovës nuk jeni në pozicionin kur shtetet bllokojnë për njërën apo tjetrën arsye. Ju jeni tre hapa pas në raport me pesë shtetet që nuk e njohin ende as ekzistencën e Kosovës. Evropa ka investuar shumë në Kosovë dhe rrezikon të humbasë, për shkak të mosunitetit për Kosovën”,
thotë për Radion Evropa e Lirë Knaus.

Për një gjë, sipas analistes Knaus, Kosova duket se është siguruar - nuk do të mund të bllokohet për shkak të Serbisë, pasi që tash vetë Serbisë i është vënë si parakusht normalizimi i raporteve me Kosovën.

Kjo është thënë qartë në vizitën e javës së kaluar në Kroaci e Serbi të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila tha se parakusht për Serbinë që të marrë statusin e kandidatit, është Kosova.
XS
SM
MD
LG