Ndërlidhjet

Sadiku: Kosova ta barazojë pozitën tregtare me Serbinë


Muhamet Sadiku
Muhamet Sadiku
Masat e reciprocitetit ndaj Serbisë duhet të mbeten, ndërsa Kosova ka mundësi të ndërtojë një treg konkurrues, thotë për Radion Evropa e Lirë Muhamet Sadiku, ekspert i çështjeve ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sadiku, ende mbetet aktuale çështja e masave të reciprocitetit, të cilat Kosova po i aplikon ndaj Serbisë dhe Bosnjës. A janë të dukshme efektet e këtyre masave dhe në ç’mënyrë?
MUHAMET SADIKU
Unë mendoj se këto masa duhet të qëndrojnë dhe efektet e tyre kanë ardhur në shprehje sigurisht. Në aspektin afatgjatë, në mënyrë definitive, Kosova ka mundësi që të ndërtojë një treg konkurrues, sepse dihet se konkurrenca është dëmtuar seriozisht nga hyrjet e mallrave nga ana e Serbisë, sidomos nga importi ilegal nga Serbia.

E tërë kjo ka krijuar një destruksion të madh në Kosovë dhe gjithnjë kishim shqetësimet e prodhuesve kosovarë se nuk kanë mbështetje institucionale dhe se janë të ndikuar nga destruksioni, i cili ka ardhur nga ana e importeve të Serbisë.

Tani, Kosova është duke krijuar raporte reale në treg, është duke e krijuar një treg konkurrues, i cili do të jetë interesant dhe do të jetë stimulues edhe për prodhuesit e vendit, sepse duhet ditur që Kosova, që një kohë të gjatë, është vërshuar nga importet, të cilat mbështeten nga vendet fqinje.

Prandaj, prodhuesit kanë qenë në halle të mëdha se si ta mbajnë kondicionin e vet, si të stimulohen, e sidomos bizneset prodhuese. Tani jemi në situatë, kur Kosova mund t’i adresojë politikat e veta për të stimuluar sektorët prodhues dhe sektorët, të cilët do të mbijetojnë në konkurrencën në treg.

Ishte ky një rast që i ka kthyer reflektorët e shoqërisë dhe të Qeverisë se duhet të mendojmë seriozisht për zhvillimin e sektorit privat dhe në veçanti për të inkurajuar bizneset prodhuese edhe në Kosovë.

Me këtë do të krijohen mundësi të mëdha që tregu i Kosovës të bëhet atraktiv edhe për investimet e jashtme në Kosovë. Pra, Kosova duhet të tregojë një kondicion politik dhe ekonomik që këto masa të mbeten të tilla, sepse, nëse heqim dorë edhe nga këto masa, atëherë tregu i Kosovës do të bëhet i pasigurt edhe për prodhuesit e vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rast se Serbia do t’i pranonte vulat e Kosovës dhe të hiqeshin masat e bllokimit të eksportit të mallrave kosovare për në Serbi, çka do të mund të përfitonte Kosova, duke pasur parasysh nivelin e ulët të eksportit të saj?
MUHAMET SADIKU
Dihet se eksportet e Kosovës në Serbi edhe në të kaluarën kanë qenë shumë simbolike. Kosova ka një deficit tregtar me Serbinë, tejet të madh, ekstrem. Por, në parim, Kosova duhet ta barazojë pozitën tregtare me Serbinë.

Kosovës duhet t’i mundësohet që ta shfrytëzojë transitin nëpër Serbi, të lehtësohet qarkullimi i mallrave nëpërmes territorit të Serbisë në drejtim të tregjeve të treta dhe Kosova, me kohë, me sforcimin e sektorit privat, me fuqizimin e sektorit prodhues, sigurisht se do ta përmirësojë pozitën tregtare në raport me Serbinë. Por, tani për tani, janë çështjet parimore.

Nëse Serbia dëshiron që t’i respektojë raportet tregtare me Kosovën edhe Kosova sigurisht se do t’i respektojë raportet tregtare. Prandaj, është me rëndësi edhe nga aspekti politik vënia e këtyre raporteve në pozitë reciproke.

Nëse Serbia i rrënon barrierat tregtare në raport me Kosovën, atëherë edhe Kosova do të ketë gatishmëri që t’i rrënojë barrierat, eventualisht të vëna ndaj mallrave që importohen nga Serbia. Kosova kërkon barazi tregtare në raportet tregtare me Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sadiku, zyrtarët qeveritarë kanë deklaruar se ka mjaft investitorë të huaj, të interesuar që të investojnë në Kosovë. A mendoni se ky interesim është real dhe sa janë krijuar kushtet për tërheqjen e këtyre investimeve?
MUHAMET SADIKU
Çështja e përfshirjes së investitorëve të jashtëm në Kosovë është çështje tejet e rëndësishme dhe këtë interesim të investitorëve të jashtëm duhet shikuar në kontekstin e raporteve ndërkombëtare, e sidomos në raportin e fundit të Bankës Botërore, ku nga aspekti i bërjes së bizneseve, Kosova është renditur në vendin e 119-të.

Vula e Doganës së Kosovës
Kosova ka probleme të mëdha, sipas raportit të Bankës Botërore, për mbrojtjen ligjore të investitorëve të jashtëm, sepse Kosova është e sistemuar në vendin e 173-të. Në aspektin e respektimit të kontratave, Kosova është e renditur në vendin e 155-të.

Prandaj, raportet ndërkombëtare tregojnë se Kosova nuk i ka punët mirë, nuk ka krijuar ende treg miqësor, nuk ka krijuar ende treg, në të cilin sigurohet mbrojtja ligjore e investitorëve të jashtëm dhe, ajo që dihet, Kosova duhet të punojë mjaft në aspektin e reformave ekonomike, në aspektin e luftimit të korrupsionit, në aspektin e përmirësimit të qeverisjes, në aspektin e reformës së shërbimeve publike, në mënyrë që të bëhet një vend i destinuar për investimet e jashtme.

Nuk duhet harruar se përpjekjet për të thithur investimet nga vendet e jashtme bëhen edhe nga vendet tjera në rajon. Prandaj, Kosova është në një garë edhe me vendet tjera të rajonit, për të inkurajuar investimet e jashtme, të cilat investime do të konvertohen në rritje ekonomike dhe në punësim të qëndrueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët çështjen e korrupsionit. Jo rrallë në Kosovë flitet për korrupsionin si dukuri, ndërkohë që në raportet e ndryshme që vijnë nga organizatat ndërkombëtare, është kërkuar nga Qeveria e Kosovës këmbëngulësi në luftimin e tij. Por, cilat kanë qenë efektet e kësaj dukurie në ekonominë e Kosovës?

MUHAMET SADIKU

Në përgjithësi, në të gjitha vendet e tranzicionit, korrupsioni e ngufat zhvillimin ekonomik. Është fuqi ngufatëse e prosperitetit ekonomik, është fuqi bllokuese e reformave ekonomike.

Edhe raportet ndërkombëtare tregojnë se në Kosovë kemi një fuqizim të korrupsionit, ndonëse nga ana e institucioneve është deklaruar një strategji nga e cila del një luftë premtuese ndaj korrupsionit.

Por, për të luftuar korrupsionin, kërkohet një organizim i tërë zinxhirit shtetëror. Kërkohet organizim dhe gatishmëri politike e institucioneve të larta. Kërkohet një reagim zinxhiror i administratës, i sistemit gjyqësor dhe i të gjitha veprimeve që dalin nga veprimi i shtetit ligjor.

Do të thotë, çelësi për të reaguar në formë efektive ndaj kësaj dukurie është forcimi i shtetit ligjor. Me forcimin e shtetit ligjor, mendoj se do të fillojë lufta e vërtetë dhe një konfrontim i vërtetë me korrupsionin. Fitohet përshtypja se konfrontimi, tash për tash, është vetëm perceptues.

Do të thotë, kërkohet një reagim i vendosur i shtetit ligjor, në mënyrë që të atakohet korrupsioni në të gjitha fazat e krijimit të tij, sepse është e pamundur që Kosova të trokasë në dyert e Bashkimit Evropian nëse nuk tregon gatishmëri dhe nëse nuk kemi rezultate praktike në luftimin e korrupsionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sadiku, që nga fillimi i këtij viti, jo rrallë janë shprehur shqetësimet nga ekspertë të ndryshëm të ekonomisë lidhur me rrezikun e mundshëm të një deficiti buxhetor. Cili është mendimi juaj, a është real ky rrezik dhe a mund të tejkalohet?
MUHAMET SADIKU
Kosova, në mënyrë definitive, është duke u përballur me shqetësime fiskale. Duhet ditur se qëndrueshmëria fiskale është një vlerë, një standard, i cili krijohet në një periudhë të gjatë kohore.

Edhe institucionet financiare ndërkombëtare, që një vit më parë, kanë adresuar shqetësimet e tyre se Kosova po përballet me problemin e një jostabiliteti fiskal dhe se kjo mund të krijojë probleme edhe në rrafshin makroekonomik.

Kosova është në një fazë të zhvillimit ku duhet të demonstrojë një qëndrueshmëri të veten fiskale, sepse buxheti i Kosovës është instrument i fuqishëm për orientimin e zhvillimit ekonomik, e sidomos për realizimin e projekteve publike, të cilat, për nga natyra janë shpërndarëse, do të thotë, u shpërndahen të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Tani kemi ardhur në një situatë, ku shqetësimet edhe të Komisionit Evropian po dalin në sipërfaqe. Komisioni Evropian, mos të harrojmë, në raportin e fundit kishte shprehur shqetësime se është humbur sensi në mes të apetiteve shpenzuese të qeverisë dhe të kapaciteteve të të hyrave buxhetore.

Prandaj, është e nevojshme që sa më parë t’i kthehemi kursit të baraspeshës në mes të shpenzimeve qeveritare dhe të hyrave buxhetore, sepse Kosova tash, siç dihet, në këtë vit ka obligime të rëndësishme për autostradën. Vlerësohet se Kosova në këtë vit duhet të paguajë rreth 250 milionë euro. Por, në projeksionet buxhetore është hyrë me shpresën se Kosova do ta shesë Postën dhe Telekomin e vet.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Kosova hyn në probleme serioze fiskale dhe dalja nga këto probleme do të kërkojë më shumë kohë, më shumë vite. Ajo që dihet është se lëvizja nga stabiliteti fiskal, Kosovës i ka kushtuar edhe me një reagim restriktiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Tash, Kosova është vënë nën një monitorim të sforcuar ndërkombëtar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Kosovës i është sugjeruar që në llogarinë ë Bankës Qendrore të mbajë 350 milionë euro mjete buxhetore si rezervë. Do të thotë, janë mjete, me të cilat Fondi Monetar Ndërkombëtar mendon që, nëse Kosova do të ketë probleme të skajshme fiskale, duhet të intervenojë.

Përndryshe, kujdesi fiskal duhet të jetë gjithnjë në rritje, sepse shumëçka varet nga konkluzionet dhe përfundimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Edhe donatorët tjerë, sjelljen e tyre ndaj Kosovës do ta kondicionojnë me sjelljet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore.
XS
SM
MD
LG