Ndërlidhjet

Hoxhaj: Qeveria e Serbisë ka kryer akte dhune në Kosovë


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se veprimi i Qeverisë së Kosovës në veri ishte një ushtrim legjitim i autoritetit të policisë.

“Strukturat ilegale serbe kanë përdorë eksploziv, armë automatike dhe snajperë për të sulmuar Policinë e Kosovës, policinë e EULEKS-it dhe KFOR-in”, tha zoti Hoxhaj dhe shtoi se “një polic i Kosovës u vra nga këta esktremistë dhe kriminelë, që financohen nga Beogradi dhe aktivitetet kontrabandë”.

Ai përsëriti se “Policia e Kosovës nuk ka përdorë dhunë, por ka qenë Qeveria e Serbisë, që ka kryer akte dhune përbrenda territorit të Kosovës”.

Ministri Hoxhaj i tha Kështillit të Sigurimit të OKB-së se “në 12 vitet e fundit, Qeveria e Serbisë ka investuar 6 miliardë euro për të mbajtur dhe kontrolluar ato struktura ilegale në Kosovë”.

Ai ka kërkuar që Serbia duhet t’i shpërbëjë strukturat paralele ilegale nga Republika e Kosovës dhe të heq dorë nga financimi i grupeve kriminale në veri.

“Disa prej problemeve kryesore të raportuara nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, sot këtu, kanë të bëjnë me faktin se Serbia, jo vetëm që insiston në mbështetjen e strukturave kriminale në Kosovë, por gjithashtu është në mënyrë aktive duke e penguar integrimin e serbëve të Kosovës”, tha, pos tjerash, Enver Hoxhaj, në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku po diskutohet për Kosovën.
XS
SM
MD
LG