Ndërlidhjet

Konfiskim armësh në veri


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Zyrtarë të EULEX-it kanë konfirmuar se gjatë operacionit të sotëm në veri të Kosovës, në lidhje me hetimet e vrasjes së policit kosovar dhe djegien e pikës kufitare 1 në Jarinë, janë konfiskuar prova të ndryshme si dhe armë.

Aktualisht ekzistojnë gjashtë kallëzime penale për personat që kanë lidhje me vrasjen.

Janë kryer bastisje në katër shtëpi private dhe me këtë rast janë konfiskuar prova në lidhje me hetimet, përfshirë edhe armë. Ne mund të konfirmojmë se ekzistojnë gjashtë kallëzime penale për arrestimin e personave që dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen, ndërsa operacione si ky i sotmi, mund të priten edhe në të ardhmen”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq.

Pas aksionit të qeverisë së Kosovës për të kthyer kontrollin në pikën 1 dhe 31 në veri të vendit, është vrarë polici kosovar Enver Zymberaj, është djegur pika doganore në Jarinë dhe janë bllokuar nga serbët për ditë të tëra rrugët që çojnë kah pikat kufitare.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka njoftuar deputetët e Kuvendit me operacionin e sotëm dhe ka konfirmuar se janë identifikuar personat e përfshirë në ngjarjet e dhunshme.

Organet përkatëse të Republikës së Kosovës kanë identifikuar dhe përgatitur kallëzime penale edhe për një numër të konsideruar të personave për të cilët ka prova të mjaftueshme se janë përgjegjës për cenimin e sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës tash e 12 vjet”, ka thënë Thaçi .

Kryeministri Thaçi përsëriti se Beogradi zyrtar qëndron prapa këtyre strukturave, dhe i porositi politikanët në Serbi që të mos fshehin vrasësit e policit kosovar dhe që të distancohen nga politika e Sllobodan Millosheviqit.

Këta persona dyshohet se janë përgjegjës për akte terroriste, vepra kriminale të kontrabandës dhe shpëlarjes së parave dhe sulmin e organizuar kundër pikave 1 dhe 31.
Këta persona dyshohet se janë përgjegjës për akte terroriste, vepra kriminale të kontrabandës dhe shpëlarjes së parave dhe sulmin e organizuar kundër pikave 1 dhe 31. Ndoshta ata kanë gjetur strehim në institucionet ne Beograd, mbase edhe në kuptimin legal dhe jo rastësisht ne kemi drejtuar mesazhin dhe kemi bërë përgjegjës në bazë të dëshmive që kemi se Beogradi zyrtar qëndron prapa atyre strukturave ilegale kriminale dhe gradualisht tashmë edhe individëve paramilitarë”, tha Thaçi.

Shefi i ekzekutivit ka folur me tone optimiste për zhbërjen e strukturave paralele.

Ditët e këtyre strukturave ilegale kriminale janë të numëruara dhe se pavarësisht se ku fshihen sot, ne do t’i gjejmë dhe do të përballen me drejtësinë e shtetit të Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Hetimet në lidhje me vrasjen e policit kosovar dhe ngjarjet tjera në veri janë zhvilluar bashkërisht nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.

Megjithëse janë bërë gati 6 kallëzime penale, EULEX-i nuk ka arritur të arrestojë sot asnjë person.

Ndërkohë, informacionet për bllokada të sërishme të rrugëve në veri, janë hedhur poshtë nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Nuk kemi bllokada në rrugë. Por në momentin e operacionit, ka pasur persona që nga kureshtja kanë përcjellë veprimet, por nuk ka pasur bllokada në rrugë”, i tha Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi Hoti.

Veriu i banuar me shumicë serbe, tash e 12 vjet nuk kontrollohet nga Prishtina zyrtare, por nga strukturat paralele të financuara nga Beogradi zyrtar.

Edhe pse thirrjet për zhbërjen e këtyre strukturave nuk kanë munguar, asnjë nga misionet ndërkombëtare në Kosovë, nuk ka ndërmarra hapa konkrete në këtë drejtim.

Ndërkohë, aksioni i policisë kosovare për të kthyer kontrollin në pikat kufitare, qe vlerësuar si historik nga kryeministri Thaçi.

Megjithatë, në pikat kufitare që janë shpallur nga KFOR-i zona të kufizuara ushtarake, vazhdon të mos funksionojë dogana e rrjedhimisht edhe të mos ketë doganierë kosovarë, vendosja e të cilëve ishte qëllimi kryesor i aksionit të policisë më 25 korrik.
XS
SM
MD
LG