Ndërlidhjet

logo-print

Gjermani: I akuzuari Arid Uka u paraqit në gjykatë


Shqiptari 21 vjeçar, Arid Uka, me origjinë nga Kosova, i akuzuar për vrasjen e dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e tre të tjerëve në aeroportin e Frankfurtit, në muajin mars, është paraqitur në një gjykatë në Frankfurt, në fillim të procesit kundër tij.

Prokurori Herbert Deimer tha në gjykatë se Arid Uka, kishte shkuar në aeroport më 2 mars me qëllim që t’i vrajë pjesëtarët e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, për shkak të intervenimit në Afganistan.

Sipas prokurorëve federalë, “hetimet kanë treguar se i akuzuari kishte dëshiruar t’i vrajë ushtarët që u përkisnin forcave të Shteteve të Bashkuara nën mandatin e Forcës Ndërkombëtare Ndihmëse në Afganistan”.

Prokurorët besojnë se Arid Uka, që ka lindur në Mitrovicë të Kosovës, por është rritur në Frankfurt të Gjermanisë, ka vepruar vetëm dhe nuk i përket ndonjë rrjeti terrorist.

Pritet që procesi të zgjasë 10 ditë, ndërsa vendimi do të shpallet vitin e ardhshëm.

Nëse shpallet fajtror ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.
XS
SM
MD
LG