Ndërlidhjet

Politika aktuale nuk favorizon barazinë fetare


Një xhami në Maqedoni...

Një xhami në Maqedoni...

“Marrëdhëniet ndërfetare nuk mund t’i cilësojmë si të këqija këtu në Maqedoni , por më duhet të theksoj se ato ndoshta nuk janë të nivelit të njëjtë”, tha Sulejman Rexhepi, kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, në intervistën e dhënë për Radion Evropa e Lirë.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, si do t’i kishit vlerësuar raportet ndërfetare në Maqedoni, veçanërisht pas vlugut të tensionimeve pak para mbajtjes së zgjedhjeve të fundit parlamentare?

SULEJMAN REXHEPI
Marrëdhëniet ndërfetare nuk mund t’i cilësojmë si të këqija këtu në Maqedoni , por më duhet të theksoj se ato ndoshta nuk janë të nivelit të njëjtë, dhe njëherazi të gjitha bashkësitë fetare nuk angazhohen që të japin në nivel të njëjtë kontributin e duhur për të qenë ata në piedestalin më të lartë. Në këtë drejtim, me sa duket, çalon Kisha Ortodokse Maqedonase, për çka më shumë se një herë kam thënë dhe kam bindjet e mia të bazuara në fakte dhe argumente se ajo nuk vepron si institucion autonom.

Por, gjithmonë Kisha Ortodokse e Maqedonisë dirigjohet nga politika aktuale e vendit. Fatkeqësisht ky është realiteti, edhe pse nuk guxon të ndodhë një gjë e këtillë. Këso tendencash ka pasur edhe nga faktorët politikë të provincave islame që të ndërhyjnë në autonominë e BFI-së, por ne njëherë e përgjithmonë këtë çështje e kemi pastruar.

Tani më duhet të theksoj se mburremi që jemi krejtësisht autonom, veprojmë në bazë të kushtetutës së BFI-së dhe akteve të tjera normative, si dhe në kuadër të normave pozitive ligjore të Republikës së Maqedonisë. Ne jemi për atë që të ndërtojmë raporte të mira ndërfetare, meqë jemi të bindur se për këtë çështje nuk ka alternativë tjetër, përpos bashkëjetesës, dialogut, tolerancës, mirëqenies, mirëkuptimit në funksion të sigurisë së përbashkët këtu, në Republikën e Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përplasje në aspektin ndërfetar ka pasur edhe për ndërtimin e kishës në sheshin e Shkupit, ndërkohë që nuk miratohej kërkesa e BFI-së për ndërtimin e Burmali Xhamisë po në sheshin e Shkupit. Zoti Rexhepi keni arritur ujdi me organet qeveritare rreth kërkesave tuaja?

SULEJMAN REXHEPI
Po, është një e vërtetë e madhe se kishte një përplasje e cila zhvillohej përmes mediave, rreth rindërtimit të kishës në sheshin e Shkupit dhe rikthimit të Burmali Xhamisë, e cila para rrënimit ka qenë e pozicionuar në sheshin e Shkupit, fare pranë Urës së Gurit. Informatat e fundit janë se definitivisht dhe politika aktuale është pajtuar që në sheshin e Shkupit të mos ndërtohet kisha por të bëhet dislokimi i kishës diku afër shtëpisë së Nënës Terezë.

Kjo për realitetin tonë nuk e zgjidh problemin, sepse politika aktuale nuk favorizon një status të barabartë mes bashkësive fetare, sepse pretendimet si duket janë që ndërtimi i Burmali Xhamisë mos jetë objekt diskutimi. Do të ishte zgjidhje me vend sikur të bëhej dislokimi edhe i kishës po edhe i xhamisë nga sheshi i Shkupit . Kjo çështje ka mbetur edhe më tej si çështje e hapur për t’u diskutuar, dhe kam bindjen se do të ripërtërihen negociatat mes faktorëve politikë në koalicionin e qeverisë aktuale, dhe më pas do të kyçemi edhe ne si palë negociuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, para një viti Ju keni shprehur shqetësimin tuaj rreth funksionimit të grupeve radikale vahabiste, duke kërkuar ndihmë si nga faktorët ndërkombëtarë, ambasada e SHBA-ve, institucionet përkatëse të vendit dhe partitë politike. Cila është situate e tanishme?

SULEJMAN REXHEPI
Është një e vërtetë se ne nuk mund të themi se tani lëvizjet e tilla janë joekzistuese në rajon dhe këtu në Maqedoni. Me siguri ato do të mbeten të veprojnë edhe më tutje si lëvizje të tilla, por më duhet të theksoj se si duket ata kur stimulohen nga qarqe të ndryshme, ngritin kokat në sipërfaqe dhe fillojnë të veprojnë me agresivitet. Tani më duhet të them se duket që stimulimi mungon në këtë drejtim qoftë në planin e brendshëm, qoftë në plan të jashtëm.

Nga ana tjetër BFI, e cila është ballafaquar me probleme të këtilla vite të tëra, duket se në fund e ka triumfuar luftën dhe ata grupacione të ndryshme janë vetëdijesuar se janë pa perspektivë në këtë vend. Lëvizjet e këtilla radikale prishin qetësinë, prishin rendin, janë kundër rendit. Veprimi i tyre më shumë shkon në drejtim të anarkisë, ku kërcënohen të gjitha vlerat e vendit në të cilin ne jetojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, pra të tri xhamitë të cilat një kohë dolën nga kontrolli i BFI-së, janë kthyer nën menaxhimin tuaj?

SULEJMAN REXHEPI
Po, duke iu falënderuar Allahut fuqiplotë, dhe veprimit të shtetit juridik në këtë segment arritëm këtë çështje ta pastrojmë dhe tani të gjitha xhamitë të cilat gjinden në Republikën e Maqedonisë, janë nën udhëheqjen e BFI-së.
XS
SM
MD
LG