Ndërlidhjet

Masat e reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë, sipas autoriteteve kosovare, patën efekte pozitive edhe në interesimin e investitorëve të huaj që të vinë në Kosovë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, thotë se së shpejti pritet që të ketë diçka konkrete nga ardhja e investitorëve të huaj në Kosovë.

Ajo tregon se javëve të fundit kanë qenë të pranishëm delegacione të shumta nga vendet e rajonit dhe botës për të shikuar mundësinë e tregtisë me Kosovën.

Ata përveç që i shikojnë mundësitë e plasimit të mallrave të tyre në tregun e Kosovës, gjithashtu janë duke i shikuar mundësitë e bashkëpunimit, transferit të teknologjisë, përvojave dhe linjave të tyre të prodhimit”, thotë Kusari – Lila.

Sidoqoftë, në një periudhë kur prezenca e investimeve ndërkombëtare është e domosdoshme për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rënie.

Megjithatë, ministrja Kusari - Lila, thotë se Kosova tani po bëhet një vend ku investitorët janë të interesuar të vinë dhe t’i shohin mundësitë prodhuese.

Në tërësi, ekonomia e Kosovës çdo ditë po bëhet më atraktive. Vetëm brenda një periudhe një javore kemi pasur delegacione nga Bullgaria e nga Kroacia, ndërkaq edhe në ditët e ardhshme presim delegacione edhe nga vendet tjera”, shprehet ajo.

Edhe pse deri më tani nuk ka pasur ndonjë shifër zyrtare se sa kanë qenë shumat e investimeve ndërkombëtare, megjithatë thuhet se në tre mujorin e parë ka pasur një rënie të lehtë në krahasim më vitin paraprak.

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2007, investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend kanë qenë 421 milion euro, në 2008- vit ky kur është shpallur pavarësia, investimet kanë qenë 355 milion euro, në 2009-ën investimet ishin 310 milion euro, ndërsa vitin e kaluar investimet kanë rënë në 265 milion euro.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shprehet skeptik sa i përket ardhjes së investitorëve në Kosovë.

Ai thotë se investitorët e huaj mund të jenë të interesuar, por kjo mund të merr kohë.

Tash është një moment i ri në Kosovë, para së gjithash kur janë krijuar disa kushte të reja, kur tregu i Kosovës është më atraktiv për shkak të një boshllëku që është krijuar, kjo nuk do të thotë që automatikisht do të ketë investime, por interesimi për të vlerësuar tregun e Kosovës, mund të sjellë deri tek investimet”, thekson Rukiqi.

Rukiqi thekson se nëse investitorët e huaj interesohen që të investojnë në Kosovë, ata do të duhej të fokusoheshin në sektorin e agrobiznesit, para së gjithash, në përpunimin e ushqimit në industrinë e qumështit si dhe në sektorin e prodhimit të materialeve ndërtimore.

Ai thotë se investimet në këtë fushë do të ndihmonin zhvillimin ekonomik si dhe do krijoheshin edhe vende të reja të punës.

Fazën që ne jemi tani, të zhvillimit, ne pretendojmë ta zbusim deficitin tregtar. Vendet, zakonisht orientohen drejt rritjes së eksporteve, mirëpo në mungesë të kapaciteteve dhe tregjeve realisht edhe zëvendësimi i importeve do të kryente punë në rastin e Kosovës dhe do të ishte mjaft e nevojshëm”, thekson Rukiqi.

Ndryshe në disa raporte të Bankës Botërore, Kosova ishte radhitur e 11-ta nga 15 destinacionet e mundshme, në mesin e vendeve ku jo stabiliteti politik ndikon në investimet e huaja potenciale.

Ndërsa në raportin tjetër, po të Bankës Botërore, të quajtur “Të bërit biznes” për vitin 2011, Kosova ishte radhitur në vendin e 173-të, sa i përket mbrojtjes së investitorëve, në mesin e 183 shteteve.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG