Ndërlidhjet

Takohet Grupi i Kontaktit për Libinë


Gjashtëdhjetë liderë botërorë dhe emisarë të lartë do të takohen sot në Paris për të diskutuar të ardhmen e Libisë.

Takimi i Grupit të Kontaktit për Libinë pritet të fokusohet në zhbllokimin e miliarda fondeve libiane, që janë mbajtur jashtë shtetit.

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, dhe kryeministri britanik, Dejvid Kameron, do të udhëheqin konferencën, në të cilën do të marrin pjesë edhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit.

Kryengritësit thonë se kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit dhe se u duhen rreth 5 miliardë dollarë për të ndërtuar një qeveri të qëndrueshme.

Edhe Rusia e Kina kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në takim.

Në anën tjetër, nga dy djemtë e Gadafit - ndonëse nuk iu dihet vendndodhja - vazhdojnë të vijnë mesazhe kontradiktore.

Saif al-Islam, përmes një audio-mesazhi të transmetuar në një televizion sirian, ka paralajmëruar rebelët në Sirte, duke thënë se “20 mijë njerëz të armatosur janë në qytet dhe të gatshëm për të luftuar”.

Ndërkaq, djali tjetër, Sadi, tha se ka kontaktuar Këshillin Kombëtar të Tranzicionit në përpjekje për të ndaluar gjakderdhjen.

Sadi tha për televizionin Al-Arabia se ka autorizimin e babait të tij.
XS
SM
MD
LG