Ndërlidhjet

Nisin dezertimet nga Qeveria siriane


Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Asad, ka pësuar dezertimin e parë të profilit të lartë gjatë pesë muajve protesta.

Avokati i përgjithshëm i qytetit Hama, në një video të postuar në YouTube, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje në shenjë proteste ndaj shtypjes së protestave për demokraci.

Adnan Muhamed al-Bakor po ashtu hodhi poshtë raportet e mediave siriane që flasin për rrëmbimin e tij.

Bakor tha se ka dhënë dorëheqje sepse forcat e sigurisë kanë vrarë 72 protestues të burgosur në Hama, para sulmit ushtarak të 1 korrikut.

Ai tha se 420 persona janë vrarë në sulm, ndërsa “shumica e tyre janë futur në varreza masive në parqet publike”. Bakor tha se do të japë detaje të tjera kur të jetë larguar nga Siria.

Në anën tjetër, forcat e sigurisë vazhdojnë të mbeten në qytetin Hama.

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se lideri sirian ka bërë “të paimagjinueshmën” në shtypjen e tij të dhunshme të protestuesve.

Ai po ashtu ka shprehur zhgënjimin që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk ka ndërmarrë veprime të fuqishme kundër Sirisë.
XS
SM
MD
LG