Ndërlidhjet

Konstruktivitet apo dështim në bisedime?


Delegacioni kosovar dhe serb në bisedime/foto arkiv
Delegacioni kosovar dhe serb në bisedime/foto arkiv
Nëse Bashkimi Evropian nuk do të jetë më këmbëngulës për suksesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ky dialog do të dështojë.

Kështu vlerësojnë analistët e çështjeve politike në vend.

Ata theksojnë se bisedimet e zhvilluara deri më tash, në kuadër të dialogut, si dhe ngjarjet që janë zhvilluar në fund të muajit korrik në veri të Kosovës, si dhe ato që pasuan më vonë, janë sinjale se gjasat janë tejet të vogla që raundi i ardhshëm i bisedimeve që pritet të fillojë me 2 shtator, të jetë i suksesshëm.

Analisti Ardian Arifaj nga Klubi për Politikë të Jashtme, thotë se rrjedha e deritashme e dialogut i ka konfirmuar frikën dhe dyshimet e mëhershme se Serbia nuk është e gatshme që ky dialog të jetë produktiv.

Sipas tij, rrjedhat e deritashme kanë shpërfaqur edhe mos gatishmërinë e Bashkimit Evropian për ta marrë mbi vete barrën e suksesit të këtyre bisedimeve, sidomos kur pranoi kërkesën e Serbisë për ta shtyrë për muajin shtator raundin e bisedimeve, që është dashur të mbahen në muajin korrik.

Arifaj thotë se, duke pasur parasysh këto fakte, Prishtina zyrtare është dashur të mendojë mirë nëse duhet ta vazhdojë dialogun apo jo.

Kjo e tregon edhe jo seriozitetin, e cila nuk po e sheh se këto bisedime deri më tash nuk kanë qenë të frytshme dhe se në këtë format nuk mund të vazhdohen. Pa një ndryshim të gjendjes në terren, në veri të Kosovës, nuk mundet me pasë mandej bisedime në asnjë temë tjetër. Ndonëse po insistohet se këto janë bisedime teknike, janë thellësisht bisedime politike, të cilat Serbia po i shfrytëzon për përfitime politike. Mbi të gjitha, po i shfrytëzon për ta dëmtuar Kosovën përbrenda, duke u angazhuar në veri, për ta dobësuar sovranitetin e shtetit të Kosovës”, shprehet ai.

Megjithëkëtë, sipas Arifajt, Kosova do ta vazhdojë dialogun me Serbinë, për shkak të, siç tha ai, presionit ndërkombëtar.

Presioni është shumë i madh që të vazhdohen bisedimet, nëse jo për rezultate konkrete, së paku të shihet që bisedimet po vazhdojnë.
Presioni është shumë i madh që të mos ketë ngecje. Presioni është shumë i madh që të vazhdohen bisedimet, nëse jo për rezultate konkrete, së paku të shihet që bisedimet po vazhdojnë”, thotë Arifaj.

Ndërkaq, analisti Bekim Baliqi, drejtues i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se kahja e zhvillimit të bisedimeve që rinisin me 2 shtator ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të anojë kah pozicionimet ekstreme të të dyja palëve.

Pritet një konstruktivitet më i madh ose një dështim total i bisedimeve. Tash, pozicionet e të dyja palëve dihen më qartësisht. Dihen edhe kërkesat e tyre. Kosova tashmë ka hyrë në një fazë e cila nuk ka kthim prapa dhe i duhet që me të vërtet t’i zhbëjë strukturat paralele. Serbia duhet patjetër të lëshojë pe, sepse nuk mund ta mbajë peng Kosovën përmes strukturave dhe gjendjes në veri. Kështu që, mendoj, kjo do të varet shumë nga ndërmjetësuesit se sa do të arrijnë që palët t’i bëjnë paksa më të gatshme për zgjidhje më afatgjate dhe më të qëndrueshme”, shpjegon ai.

Baliqi thekson se Bashkimi Evropian duhet të jetë më këmbëngulës për të nxjerrë rezultate pozitive nga dialogu Kosovë-Serbi, por rrjedha e deritashme e bisedimeve, ngjarjet në veri të Kosovës që nga korriku e deri më tash, duhet t’i shërbejnë si përvojë për t’ju qasur dialogut me shumë seriozitet.

Në rast se raundi i shtatorit nuk arrin të gjejë ndonjë zgjidhje konkrete dhe të dilet me rezultate konkrete, mendoj që atëherë bisedimet janë në prag të dështimit.
Bashkimi Evropian e ka edhe këtë mundësi. Në rast se raundi i shtatorit nuk arrin të gjejë ndonjë zgjidhje konkrete dhe të dilet me rezultate konkrete, mendoj që atëherë bisedimet janë në prag të dështimit. Pala kosovare duhet t’i kuptojë si të tilla, por edhe nga vet Bashkimi Evropian duhet të tregohet një vendosmëri, më tutje, që negociatat nuk mund të jenë të përjetshme dhe nuk mund të negociohet apo bisedohet për diçka, nëse nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete”, thotë Baliqi.

Sidoqoftë, siç është paralajmëruar, temat për të cilat do të bisedohet me 2 shtator, do të jenë për tregtinë e lirë, vulat dhe doganat, bashkëpunimi rajonal dhe disa nga temat për të cilat është biseduar edhe më parë.
XS
SM
MD
LG