Ndërlidhjet

logo-print
Konfiskimi një automjeti, i armëve dhe i disa provave, për të cilat nuk u dhanë detaje, është bilanci i aksionit të së enjtes i EULEX-it në veri të vendit.

Por, nuk u arrestua askush, edhe pse u tha se janë të paktën 6 fletarrestime për personat që dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e policit kosovar Enver Zymberaj.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se aksionet e EULEX-it po zbulohen para kohe.

Asnjë aksion që po ndërmerret nuk po mbetet i pazbuluar, do të thotë konfidencialiteti i detyrave dhe veprimeve që do të kryen në atë pjesë të territorit në luftimin e strukturave ilegale serbe gjithnjë po thyhet dhe kjo është ajo dobësia më e madhe që po ndodh atje”, thotë Qehaja në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Kjo, sipas Qehajës, mundëson ikjen e të dyshuarve, rrjedhimisht zvarritë çuarjen e drejtësisë në vend.

Unë nuk i di rrethanat e përgatitjes dhe ndërhyrjes konkrete atje, por në bazë të informacioneve që unë i kam, shihet dhe mund të konkludohet se një numër i madh i njerëzve njoftohen për aksion që do të ndërmerret dhe atëherë vjen deri te zbulimi i këtij aksioni, apo asaj detyre që duhet të kryhet dhe kryesit e veprave kuptohet që kanë hapësirë të madhe për t’u fshehur bile kanë mundësi që të dalin në territorin e Republikës së Serbisë”, thotë Qehaja.

Por, nga një prizëm tjetër shihet aksioni nga analisti politik Belul Beqaj.

Ai veprimin e fundit të EULEX-it e sheh më shumë si një lloj paralajmërimi për strukturat paralele, sesa një përpjekje për të arrestuar dikë.

Ata nuk i treguan se cilat janë ato prova. Do të thotë kot janë pallavra, këto janë vetëm për t’i frikësuar ata që kanë ndezur portat 1 dhe 31 që të mos organizohen sërish pasi që të arrihet një marrëveshje me dy shtator, për faktin se ata janë të ndërlidhur me strukturat ilegjitime dhe me ndërhyrje dhe intervenim të pushtetit. Objektivisht EULEX-i dhe KFOR-i kanë ndërmarrë masa që mos të përsëritet skenari që e kemi parë. A do të jenë të mjaftueshme apo jo, do të tregojë koha”, thotë për Radion Evropa e Lirë, analisti Beqaj.

Me dy shtator pritet të rinisë raundi i ardhshëm i bisedimeve me Serbinë, dhe Beqaj, sheh një ndërlidhje në mes të dialogut dhe bastisjeve të EULEX-it.

Aksioni i kryer dje mendoj se është një paralajmërim për strukturat paralele që pas një marrëveshjeje të brishtë që do të arrijnë përfaqësuesit zyrtarë, në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, të mos sillen siç janë sjellë në kuadër të masave që i kanë ndërmarrë strukturat paralele më 25 korrik. Është një preventivë që të mos përsëritet skenari që e kemi parë. Në esencë është një hyrje dhe përgatitje që në kuptimin afatgjatë, definitivisht të çarmatosen strukturat paralele dhe ilegjitime”, shprehet Beqaj.

Në aksionin e djeshëm, misioni evropian për sundim të ligjit, i mbështetur nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës, ka kryer bastisje në katër shtëpi të serbëve në fshatin Zupç të Zubin Potokut, ku edhe ka konfiskuar disa prova.

Ndërsa ende sa ishte në zhvillim e sipër, aksioni u vlerësua lart nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili u zotua se kryesit e krimeve do të sillen para drejtësisë.

Ai i ka bërë thirrje Serbisë që të mos i strehojë vrasësit e Enver Zymberajt.

Kryeministri Thaçi po ashtu ka nënvizuar se strukturat paralele në veri i kanë “ditët e numëruara”.

Ndryshe, një ditë më parë, zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq ka thënë se aksione te ngjashme si ai i së enjtes do të kryhen edhe në të ardhmen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG