Ndërlidhjet

Qyteti Sirte i rrethuar

  • RFE /RL

Kryengritësit në Libi

Kryengritësit në Libi

Rusia e ka njohur legjitimitetin e Këshillit Tranzicional Kombëtar, pasi për disa muaj kishte refuzuar ta bëjë këtë.

Moska, ka pasur edhe qëndrim kritik ndaj fushatës ushtarake të NATO-s, e cila i ka ndihmuar luftëtarët kryengritës, që ta përmbysin regjimin e kolonel Muamer Gadafi.

Meqë, tash Libinë e administron Këshilli Kombëtar Tranzicional, kompanitë ruse ballafaqohen me rrezikun që t’i humbin kontratat fitimprurëse ushtarake dhe ato të naftës.

Pra, veprimi i Moskës për njohje shihet si lëvizje për t’i mbrojtur interesat ekonomike të Rusisë në Libi.

Njohja e Rusisë erdhi disa orë para fillimit të Konferencës Ndërkombëtare për Libinë në Paris, me pjesëmarrjen e afro 60 liderëve botërorë, në takimin e të ashtuquajturit Grup i Kontaktit për Libinë, në të cilin pritet edhe pjesëmarrja e sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton.

Takimi udhëhiqet nga presidenti francez, Nikollas Sarkozi dhe kryeministri britanik, Dejvid Kamerun, ndërsa në të marrin pjesë edhe anëtarët e lartë të Këshillit Tranzicional Kombëtar (KTK) të Libisë.

Duke folur para fillimit të takimit në Paris, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton, pos tjerash, tha:

Mendoj se Konferenca është një mundësi për komunitetin ndërkombëtar që tash të reflektoj në punën afatgjatë që ne e kemi për ta mbështetur popullin e Libisë, në ambiciet e tyre për vend demokratik”, tha Ketrin Eshton.

Por, gazeta kryesore kineze, “The People’s Daily”, u ka tërhequr vërejtjen fuqive Perëndimore që të lejojnë që Kombet e Bashkuara ta udhëheqin rikonstruktimin e pasluftës në Libi.

Ministri i jashtëm i Francës, Alen Zhype, tha se Franca ka marrë vendim për lirimin e 1.5 miliardë eurove të bllokuara të Libisë.

Njohja e Këshillit Tranzicional Kombëtar nga ana e Rusisë dhe zhbllokimi i fondeve nga bankat franceze, paraqet fitore të madhe diplomatike për këtë këshill.

Franca ka njoftuar se nga Komiteti i Sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kishte pyetur për leje për zhbllokim të fondeve.

Këto fonde janë të nevojshme për ta ndihmuar Këshillin Tranzicional Kombëtar, derisa po përpiqet për krijimin e qeverisë së re në Tripoli dhe fillimin e procesit të rikonstruktimit, pas përmbysjes së regjimit të kolonel Muamer Gadafi.

Ministri i jashtëm francez, Alen Zhype, tha se të hollat do të duhen që Këshilli Tranzicional Kombëtar t’i përmirësoj kushtet humanitare në Libi dhe ta ripërtërij furnizimin me ujë, rrymë dhe karburante.

Në ish selinë e kryengritësve në qytetin Bengazi, i dërguari britanik, Xhon Xhenkins, u tha reporterëve se Forcat Ajrore Mbretërore të Britanisë kishin sjellë bankënota të reja të shtypura të Libisë, në vlerë prej 227 milionë dollarë, për ta ndihmuar administratën e re të Libisë për t’i paguar punëtorët e shërbimeve publike dhe për t’i ndihmuar bankat në mbushjen e automateve me para të gatshme.

Duke folur për këtë operacion, zoti Xhenkins, tha:

Jam i kënaqur që kjo po bëhet për Bajram, pasi kjo është dhuratë fantastike për festë për popullin e Libisë, meqë këto para i takojnë popullit të Libisë.
Kjo është ajo që ne mund ta bartim në këtë fluturim, që është fluturim i madh ushtarak, siç mund ta shihni. Jam i kënaqur që kjo po bëhet për Bajram, pasi kjo është dhuratë fantastike për festë për popullin e Libisë, meqë këto para i takojnë popullit të Libisë”, tha i dërguari britanik, Xhon Xhenkins.

Këto para të gatshme janë pjesë e kontingjentit të bankënotave të reja, në vlerë prej 1.5 miliarda dollarësh, që ishin urdhëruar nga Muamer Gadafi në një shtypshkronjë britanike.

Dërgimi i parave ishte bllokuar në muajin mars, në njërën nga lëvizjet e para, që kishte për qëllim të bëjë presion ndaj Gadafit, për ta ndalur dhunën për goditjen e protestuesve opozitarë.

Derisa vend-ndodhja e Gadafit mbetet e panjohur, dy nga djemtë e tij, kanë dhënë deklarata të kundërta lidhur me situatën për lojalistët e Gadafit, që janë të rrethuar nga luftëtarët opozitarë në qytetin e lindjes së Gadafit, Sirte.

Saif al-Islam, në deklaratën e transmetuar në kanalin satelitor televiziv sirian, Arrai, tha se lojalistët e Gadafit nuk do të dorëzohen pa luftë.

Sa u përket përgatitjeve në Sirte, ne u themi kryengritësve se ju jeni të mirëseardhur në Sirte dhe ju do të shihni. Ju mendoni se hyrja është e lehtë, por është lokacioni numër një i lojalistëve. Sirte ka më se 20 mijë njerëz të armatosur dhe ata janë të gatshëm. Ne po hyjmë në luftë për të arritur fitore dhe për të avancuar”, tha al-Islam.

Djali tjetër i Gadafit, Sadi tha se ai e kishte kontaktuar Këshillin Tranzicional Kombëtar në përpjekje për ta ndalur gjakderdhjen. Ai i tha televizionit Al-Aarabija se ai ka autorizim nga babai i tij për të zhvilluar negociata për zgjidhje paqësore në qytetin Sirte. (f. b.)
XS
SM
MD
LG