Ndërlidhjet

OKB: Publikohet raporti për dhunën në anijen turke


Një panel hetues i Kombeve të Bashkuara ka konkluduar se ndërhyrja e Izraelit në anijen turke me ndihma për në Rripin e Gazës, ishte ilegal dhe se forcat izraelite kishin përdorë dhunë të tepruar vdekjeprurëse gjatë këtij incidenti.

Tetë shtetas turq dhe një amerikan me origjinë turke, ishin vrarë nga ndërhyrja e forcave speciale izraelite, në muajin maj të vitit 2010, në ujërat ndërkombëtare.

Raporti i panelit të OKB-së, i udhëhequr nga ish kryeministri i Zelandës së Re, Xhefri Palmer, pritet që formalisht të publikohet sot.

Por, e përditshmja Nju Jork Tajms, paraprakisht e ka siguruar një kopje të tij dhe e ka publikuar në faqen e saj në Internet.

Raporti thotë se aktivistët në anije “vepruan pa kujdes”, duke u përpjekur për ta shkelur bllokadën detare të Izraelit rreth Rripit të Gazës, që kontrollohet nga Hamasi.

Theksohet se komandosët izraelitë u ballafaquan me “rezistencë të organizuar dhe të dhunshme nga grupi i udhëtarëve” në anije.

Por, raporti shkruan se sasia e forcës së përdorur nga izraelitët ishte “e tepërt dhe e pa-arsyeshme”.

Ky incident kishte shkaktuar dëme të caktuara në lidhjet ndërmjet Izraelit dhe Turqisë, pasi Ankaraja kishte insituar që Izraeli të kërkoj falje. Por Izraeli ka refuzuar ta bëjë këtë.
XS
SM
MD
LG