Ndërlidhjet

logo-print

Merren vesh për vulat dhe kadastrën

  • RFE /RL

Bruksel

Bruksel

Në Bruksel ka përfunduar raundi i radhës i dialogut Kosovë – Serbi. Bisedimet e sotme, ndonëse në një atmosferë të tensionuar, kanë arritur të nxjerrin dy marrëveshje – për vulat doganore dhe për regjistrin kadastral.

Sipas palëve pjesëmarrëse, zbatimi i marrëveshjes për vulat pritet të ndodhë shumë shpejt.

Kreu i delegacionit serb në bisedime, Borisllav Stefanoviq, tha se me njohjen e vulave, pritet që Kosova “brenda 7-10 ditësh të heqë embargon ndaj mallrave të Serbisë” dhe të lirojë mundësinë e qarkullimit të lirë të mallrave nga Serbia në, siç tha ai, “pjesën tjetër të territorit të Serbisë, që quhet ‘Kosovë e Metohi’”.

Ndërkaq, kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, duke konfirmuar arritjen e marrëveshjes, tha se kjo e fundit do të thotë “heqje e embargos shumëvjeçare që Serbia u ka bërë mallrave të Kosovës”, në kundërshtim me, siç u shpreh, parimet e tregtisë së lirë në rajonin e CEFTA-s.

Tahiri dhe Stefanoviq po ashtu kanë konfirmuar se është arritur pajtim edhe për kadastrën.

Tahiri tha se pas kësaj marrëveshjeje, pritet që Serbia t’i kthejë Kosovës regjistrat e kadastrave, mirëpo pranoi se një gjë e tillë do të bëhet duke kthyer origjinalet e skanuara.

Ndërkohë, pritet të vazhdojë puna e grupeve punuese për zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur në muajin qershor.

Të dyja palët pranuan se atmosfera e sotme ishte “shumë negative”. Stefanoviq tha se kishte mjaft akuza ndaj palës serbe për rolin e Beogradit në veri të Kosovës, por theksoi se nuk është diskutuar për situatën në këtë pjesë e as për strukturat e atjeshme.

Kryengeociatorja Tahiri konfirmoi po ashtu atmosferën jo të mirë në takim. Duke folur personalisht tha se më parë e kishte parë si “njeri të dialogut” zotin Stefanoviq, mirëpo gjatë verës ky i fundit, sipas saj, ishte shndërruar në “krijues të trazirave”.

Andaj, shtoi Tahiri, nuk ka qenë e lehtë “ta takojë sot”.

“...por, me këtë takim dhe me këtë sjellje, Kosova ka dashur të dëshmojë që është e gatshme të pranojë normat evropiane”, tha Tahiri.

***

Duke folur para nisjes së këtij raundi, shefja e delegacionit të Kosovës në bisedime, Edita Tahiri ka thënë se “ne si qeveri jemi shumë e qartë, vizioni ynë është vizion euroatlantik për Kosovën”.

“Dhe jo vetëm kësaj radhe, por që nga fillimi i dialogut ne kemi dëshmuar se duam një qasje konstruktive për të kontribuuar në paqen dhe stabilitetin e rajonit, sikur edhe në lëvizjen drejt Bashkimit Evropian për të dyja shtetet”, ka thënë zonja Tahiri.

Homologu i saj, shefi i delegacionit të Serbisë në bisedime, Borko Stefanoviq, para nisjes së bisedimeve, ka folur haptazi për rezultatet që ai pret të arrihen.

“Shpresojmë se pas një dite të gjatë diskutimesh, do të kemi disa rezultate konkrete, posaçërisht lidhur me vulat doganore dhe kadastrat, dhe se do të mund të dalim publikisht me detajet e këtyre marrëveshjeve".

“Shpresoj se me marrëveshje do të lehtësojmë situatën, që ajo të jetë shumë më normale seç është sot, për të mundësuar lëvizjen e mallrave”, ka thënë Stefanoviq, për të shtuar se kjo do të ndikonte edhe në uljen e tensioneve.

Zyrtarët e BE-së ndërkaq kanë thënë se është mirë për të dyja palët të arrihen “sa më shumë marrëveshje, në prag të raporteve të progresit të Komisionit Evropian”, të cilat priten të dalin muajin e ardhshëm.

Kjo posaçërisht vlen për Serbinë, e cila këtë vit synon të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG