Ndërlidhjet

Përfitimet (jo) reale



Të dhënat zyrtare të institucioneve të Kosovës tregojnë se që nga fillimi i aplikimit të masave të reciprocitetit, Kosova ka shënuar përfitime të mëdha ekonomike.

Këto përftime ekonomike edhe ekspertë të çështjeve ekonomike në vend i quajnë reale.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, thotë për Radion Evropa e Lirë se aplikimi i reciprocitet dhe marrja e kontrollit të pikave kufitare nga Policia e Kosovës dhe KFOR patën rezultate pozitive në ndalimin e kontrabandës dhe kjo siç thotë ai, ndikoi që Kosova të shënojë të hyra më të mëdha.

Përfitimet në përgjithësi mund të themi se janë evidente, përfitimi më i rëndësishëm, është në lidhje me atë se i është dhënë mundësia industrisë në Kosovë, biznesit dhe kryesisht prodhueseve që të fillojë të prodhojnë dhe të eksplorojnë produktet e tyre në tregun e Kosovës. Tani, konsumatori ka edhe produktet e Kosovës dhe mund të vendosë se çka të konsumojë, duke u bazuar në kualitetin e këtyre produkteve”, thekson Musa.

Përfitimet ekonomike për Kosovën, pas masave të reciprocitetit, ishin shënuar në mbledhjen e të hyrave.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganave të Kosovës ka arritur një shifër rekord në mbledhjen e të hyrave në fund të muajit gusht, duke kapur vlerën prej 500 milionë eurosh.

Krahasuar me vitin e kaluar, kjo paraqet një rritje të të hyrave, sepse në periudhën e njëjtë të vitit 2010, dogana kishte mbledhur 432,5 milionë euro. Pra, ka rritje prej 67.7 milionë eurosh.

Edhe, eksperti për çështjeve ekonomike, Alban Hashani, thotë se masat e reciprocitetit mund të kenë shënuar përfitime ekonomike për Kosovën.

Megjithatë, sipas tij , duhet të punohet më shumë në stimulimin e prodhueseve vendorë, në mënyrë që këto përftime të vazhdojnë.

Përftimet nga aplikimi i masave të reciprocitetit janë të shumë anshme dhe janë reale. Së pari Kosova ka treguar një lloj autoritetit karshi marrëveshjeve ndërkombëtare dhe së dyti ka dhënë shans për krijimin e kanaleve te reja dhe zbutjen e varshmërisë që Kosova ka pasur nga produktet e Serbisë”, thotë Hashani.

Masat e reciprocitet ndaj produkteve serbe, Qeveria e Kosovës i ka vendosur më 20 korrik të këtij viti, si përgjigje ndaj bllokadës që këto dy vende u kishin vendosur mallrave kosovare, për shkak se nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e rrjedhimisht edhe vulat në të cilat shkruan “Republika e Kosovës”.

Ekspertë të çështjeve ekonomike, shpjegojnë se nëse Kosova, që nga vendosja e masave të reciprocitetit ka shënuar përfitime, atëherë humbjet, sipas tyre, për tri vjet kur Kosova nuk kishte mundur të eksportojë produktet e saj në ketë shtet, janë të mëdha.

Por, siç thonë ata, humbjet më të mëdha, Kosova i ka pasur nga kontrabanda e cila është bërë në pikat kufitare me Serbinë.

Pikat në veri, të cilat kanë qenë burim i madh joformalitetit dhe evazionit fiskal, e që ka krijuar një konkurrencë ‘jo fer’ në treg, edhe që në instancën e fundit i ka krijuar dy probleme. E para e ka dobësuar buxhetin e shtetit për shkak se shteti nuk ka arritur të vjelë taksat në këto pika, dhe së dyti i ka joshur firmat tjera të cilat kanë qenë në sektorin formal, që të futen në sektorin joformal , për arsye se ka qenë gati e vetmja mënyrë për të mbijetuar këtë treg ndaj konkurrencës së padrejtë”, shpjegon Hashani.

Në anën tjetër, kryearti i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, thekson se Kosova kishte humbur shumë nga mos kontrollimi i pikave kufitare në veri dhe nga mosrespektimi i marrëveshjes për tregti të lirë nga ana e Beogradit zyrtarë.

Humbjet kanë qenë në dy drejtime, e para ka të bëjë me një bilanc negativ të Kosovës, e cila është paraqitur qysh që pas luftës ku Kosova ka qenë importues i produkteve nga Serbia dhe humbjet tjera kanë qenë si pasojë e rrjedhjes së trafikimit apo qarkullimit të mallrave ilegale nga territori i Serbisë në territorin e Kosovës”, thekson Musa.

Ndryshe, autoritetet kosovare, përftimet ekonomike i kanë arsyetuar me ngritjen e kontrollit të qarkullimit të mallrave, luftimin e kontrabandës, aplikimin e metodave moderne të selektimit dhe analizës së riskut si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG