Ndërlidhjet

Lukashenko fal dhe liron disa protestues


Katër aktivistë të Bjellorusisë, të cilët ishin burgosur lidhur me zgjedhjet e kontestuara presidenciale të vitit të kaluar, janë liruar nga burgu pasi janë falur nga presidenti Aleksandër Lukashenko.

Një zëdhënës i presidencës tha se aktivistët u liruan pasi “kishin pranuar fajin” për pjesëmarrjen në demonstratat që mbaheshin si shenjë proteste ndaj rizgjedhjes së Lukashenkos në dhjetor të vitit 2010.

Mirëpo, njëri nga ish-të burgosurit, Aleh Hnedqyk, i tha shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë se ka refuzuar të nënshkruajë dokumentin me të cilin ai do të pranonte fajin.

Lirimi i këtyre personave erdhi pasi zyrtarët evropianë mirëpritën vendimin e Lukashenkos për të liruar të gjithë të burgosurit politik.

Robert Golanski, zëdhënësi i presidentit të Parlamentit Evropian, Xherzi Buzhek, tha se Bashkimi Evropian do ta trajtojë Bjellorusinë si një “partner serioz” vetëm kur të jenë liruar “pa kusht” të gjithë të burgosurit politik.

“Një varg deklaratash të mëhershme të regjimit bjellorus nuk janë mbështetur nga veprime konkrete. Andaj, skepticizmi i presidentit sot justifikohet tërësisht. Sidoqoftë, ai mirëpret lajmet, por me shumë kujdes”, tha Golanski.

Më shumë se 700 njerëz ishin burgosur në prag të protesatve kundër rizgjedhjes se Lukashenkos. Afro 20 kanë mbëtur të burgosur-përfshirë tre kandidatë presindecialë të opozitës.

Ministrat e jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë mbi situatën në Bjellorusi gjatë takimit të tyre dyditor që nisi gjatë ditës në Poloni.

Shefja e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton, theksoi rëndësinë që Bjellorusia “të sigurojë që të burgosurit politik të lirohen sërish” dhe që “të marrë parasysh marrëdhëniet e saja me Bashkimin Evropian”.
XS
SM
MD
LG