Ndërlidhjet

Turqia e dëbon ambasadorin e Izraelit


"New York Times"

Turqia ka njoftuar se po e ulë nivelin e lidhjeve të veta diplomatike dhe ushtarake me Izraelin dhe se e dëbon ambasadorin e këtij vendi, në shenjë të zemërimit për shkak të refuzimit të Izraelit, që të kërkojë falje për ndërhyrjen vdekjeprurëse të komandove, vitin e kaluar, në një anije të Turqisë, që ishte nisur për në Gaza.

Ministri i jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, tha se Turqia do ta reduktojë përfaqësimin e saj në Izrael, në nivelin e sekretarit të dytë, që është njëri nga nivelet më të ulëta diplomatike, dhe se e ka urdhëruar ambasadorin izraelit, Gabi Levi, që të largohet nga Turqia, deri të mërkurën.

Kjo lëvizje duket se e thellon ftohjen e tashme serioze ndërmjet dy vendeve dhe më tutje e izolon Izraelin në rajon, derisa kryengritjet e Pranverës Arabe kërcënojnë t’i shkatërrojnë raportet paraprake stabile atje.

“Të gjitha marrëveshjet ushtarake janë pezulluar”, tha zoti Davutogllu, por ka shtuar se raportet mund të kthehen në normale, nëse Izraeli kërkon falje për vrasjen e nëntë njerëzve në anije dhe e tërheq embargon ndaj Rripit të Gazës. Këto kërkesa Izraeli vazhdimisht i ka refuzuar.

Të dy palët, megjithatë kanë shprehur gatishmëri për përpjekje të mëtejshme në zgjidhjen e mospajtimit.

“Qëllimi ynë nuk është dëmtimi i miqësisë historike ndërmjet Turqisë dhe Izraelit, por, përkundrazi, për ta ridrejtuar qeverinë aktuale izraelite”, në mënyrë që të përmirësohet “gabimi, që nuk korrespondon me miqësinë e jashtëzakonshme të tyre”, tha Davutoglu.

Izraeli ka përsëritur se “i vjen keq për humbjen e jetëve” në ndërhyrjen në anije, e cila e sfidonte bllokadën detare, por megjithatë, nuk është i gatshëm të kërkoj fale të plotë, që e synon Turqia, duke thënë se ushtarët e Izraelit kishin vepruar në vetëmbrojtje.

Izraeli, po ashtu, ka synuar ta neutralizojë ndikimin e dëbimit të ambasadorit të vet, duke thënë se zoti Levi, tashmë e kishte kompletuar detyrën e tij dhe se ishte duke u nisur për në shtëpi.

Dikur, Turqia ishte ranguar si aleati më i afërt strategjik i Izraelit në botën myslimane, por lidhjet filluan të dobësohen, pas një operacioni ushtarak në Rripin e Gazës, në fund të vitit 2008, dhe në fillim të vitit 2009.

Përkeqësimi më i madh në raportet me Turqinë, i ka komplikuar problemet rajonale të Izraelit nga zhvillimet në Pranverën Arabe, e cila e ka rishënuar situatën gjeopolitike përgjatë kufijve të Izraelit.

Më herët këtë vit, revolucioni në Egjipt e ka përmbysur presidentin Hosni Mubarak, dikur aleat kryesor, ndërsa goditja e përgjakshme dhe e paparashikuar kundër opozitës në Siri, ka ngritur edhe më tepër pyetje lidhur me stabilitetin rajonal.

Zoti Davutoglu tha se Izraeli ka dështuar që t’i kuptoj konsekuencat e “ndryshimeve gjigante në rajonin e Lindjes së Mesme”.

Zhvillimet e fundit në raportet Turqi – Izrael, u bënë derisa raporti i Kombeve të Bashkuara për ndërhyrjen në anijen turke, në vitin 2010, kishte gjetur se, derisa bllokada detare e Izraelit në Gaza ishte legale dhe përkatëse, mënyra se si forcat izraelite kishin hyrë në anije, e cila ishte përpjekur për ta thyer bllokadën para 15 muajve, ishte e tepërt dhe e paarsyeshme. (f.b.)
XS
SM
MD
LG