Ndërlidhjet


Sfida e parë me të cilën ballafaqohen biznesmenët e Maqedonisë si konkurrues në tregun e Kosovës, pasi kjo e fundit vendosi masa të reciprocitetit me Serbinë, është kostoja më e lartë e prodhimeve të Maqedonisë, thekson kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderes Kuci.

Kjo është si rezultat i asaj sepse Serbia ka subvencionuar një pjesë të produkteve të cilat kanë pasur për synim depërtimin në tregun e Kosovës dhe atë të Maqedonisë. Njëherazi si Odë Ekonomike, kemi konstatuar se për prodhimin e produkteve të caktuara të cilat eksportohen në Kosovë, gati një e treta e kostos së prodhimit të tyre është energjia. Dhe duke pasur parasysh se Serbia si energji përdorë gazin natyrorë, atëherë prodhimi i këtyre produkteve është më i lirë. Këto janë arsyet se pse produktet e tyre (serbe) janë më të lira” bën të ditur Menderes Kuçi.

Ai shton se Beogradi ka favorizuar eksportin në Kosovë edhe për qëllime politike, për çka nuk është e gatshme që të njëjtat favore t’ua ofrojë biznesmenëve nga Maqedonia që eksportojnë në tregun kosovar.

"Maqedonia tani për tani nuk ka shprehur gatishmëri të subvencionojë mallrat të cilat eksportohen në tregun e Kosovës, dhe kështu në sytë e kosovarëve mund të duket se biznesmenët tentojnë të përfitojnë nga situata, gjë që nuk është e vërtetë, sepse synimi ynë është të futemi në atë treg dhe të qëndrojmë duke u bërë konkurrues si për nga kualiteti, ashtu dhe për nga çmimi, me ofertat tona si biznesmenë. Pra, ne synojmë ta trajtojmë Kosovën si një mundësi e mirë për investime në planin afatgjatë, dhe jo me stilin shit dhe ik”, shprehet Kuçi.

Nga ana tjetër Branko Azevski kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë, thotë se autoritetet e Shkupit në funksion të intensifikimit të bashkëpunimit tregtar me Kosovën duhet të angazhohen për autostradën e re nga Shkupi për në Prishtinë, transportin hekurudhor, si dhe për procedura të përbashkëta doganore gjatë transportit të mallrave, sidomos atyre ushqimore për t’iu shmangur pritjeve të gjata.

Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi duhet bashkërisht të konkurrojnë fondet evropiane, të cilat do të shfrytëzohen për zhvillimin e infrastrukturës me këtë dhe zhvillimin ekonomik të tërë rajonit”, shprehet Brank Azevski.

Në këtë drejtim, Menderes Kuçi thotë se Kosova dhe Maqedonia duhet të krijojnë një strategji të përbashkët për thithjen e investimeve të huaja, duke u paraqitur bashkërisht me kapacitet më të gjerë konsumues.

Si ne mund të paraqitemi si trampolinë për sa i përket eksportit nga vendet tona për në tregjet evropiane? Gjithsesi duke i bashkuar forcat tona, kapacitet ekonomike, kapitalin, njohuritë, pra duke u paraqitur si fuqi e përbashkët ekonomike. Në këtë drejtim janë fokusuar biznesmenët nga Maqedonia dhe Kosova, gjatë takimeve të fundit, pra të realizohet një integrim i ndërsjellë që do të sjellë efekte pozitive për të dyja palët”, thekson Kuçi.

Ndryshe, shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës, vetëm për 6 muaj e parë të këtij viti, ka shënuar rritje prej 30.6 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas statistikave të entit shtetërorë të Maqedonisë, për 6 muaj Kosova nga Maqedonia ka importuar 243 milionë dollarë, ndërsa ka eksportuar vetëm 18 milion dollarë.
XS
SM
MD
LG