Ndërlidhjet

logo-print

Krasniqi: Bisedimet me Serbinë nuk do të japin rezultate


Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Bisedimet të cilat po zhvillohen aktualisht në mes të Prishtinës dhe Beogradit, janë bisedime të imponuara, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ai konsideron se Beogradi zyrtar po merr pjesë në këto bisedime vetëm sa për të krijuar pozicion të avancuar në raport me Brukselin.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi në Bruksel kanë vazhduar bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Si i shihni ju këto bisedime?

JAKUP KRASNIQI
Bisedimet realisht janë të imponuara në një formë nga rezoluta e Asamblesë së përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuar e vitit të kaluar dhe tani në një mënyrë ose në një tjetrën me atë rezolutë ka qenë ngarkuar Bashkimi Evropian që të jetë sponzorizues i këtyre bisedimeve. Ne asnjëherë si Kosovë nuk jemi deklaruar kundër bisedimeve me asnjë vend të rajonit tonë, në këtë rrafsh as me Serbinë. Bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë është dashur të ndodhin, duhet ë ndodhin dhe duhet të mbyllen. Por, mendoj që ekziston edhe një problem dhe ai problem është se pala serbe nuk është shumë e disponuar për të zhvilluar bisedime dhe për të përfunduar këto bisedime me sukses.

Por, ndoshta e ka më shumë të imponuar dhe për të për të krijuar pozicione të avancuar në raport me Brukselin. Kjo në bën ne të dyshojmë se bisedimet jo vetëm që do të jenë të vështira, por do të zgjasin bukur gjatë dhe nuk do të japin rezultate që do t’iu duheshin qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të Serbisë. Në fund të fundit këto bisedime në fillimin e tyre kanë pasur për qëllim dhe synim rritjen e kualiteti të jetës së qytetarëve të tyre të dy vendeve gjë që kjo ende nuk ka ndodhur.

Pastaj këto bisedime do të duhej të zhvilloheshin mes dy vendeve që e njohin njeri tjetrin, mes dy vendeve që nuk kanë qellim dhe synim të përzihen në punët e brendshme të njeri tjetrit dhe nëse i shikojmë zhvillimet që kanë ndodhur jo vetëm pas 25 korrikut por edhe me herët kanë treguar dhe po tregojnë që megjithatë Serbia dëshiron të ndërhyjë shumë në punët e brendshme të Kosovës. Kur e mendojmë këtë rrafsh mendojmë që bisedimet vështirë se do të arrijnë objektivin e tyre për të cilin edhe kanë filluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është e ndërlidhur situata në veri me vulat doganore? Mendoni se marrëveshja e arritur do t’i zbusë tensionet atje?

JAKUP KRASNIQI
Varet shumë nga veprimet politike të politikës në Beograd, se këto zhvillimet e fundit kanë treguar se përzija e politikës së Beogradit në atë pjesë të Kosovës ka qenë e madhe dhe paligjësia që është prezentë në atë pjesë të Kosovës në një mënyrë është e ndihmuar nga Beogradi.

Nëse Beogradi heq dore nga paligjësitë dhe ndikimet e pa ligjshme që janë zhvilluar në atë pjesë të Kosovës mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive, por për të parë se çfarë lëvizjesh pozitive na duhet një kohë. Pra, Beogradi qëndron pas atyre grupeve kriminale në atë pjesë të Kosovës, kurse nga pala e Kosovës varet se sa Kosova ka gatishmëri për të krijuar hapësira të mjaftueshme dhe unë mendoj që pala Kosovare me dokumentin e presidenti Ahtisari ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për qytetaret serbë në çdo pjesë të Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Kuvendi duhet ta thotë fjalën e vet për marrëveshjet e arritura?

JAKUP KRASNIQI
Varet se çfarë marrëveshje janë. Megjithatë Kuvendi edhe ashtu e ka thënë fjalën e vet. Kuvendi ka nxjerrë dy rezoluta për çështjen e asaj pjesë të Kosovës. Rezoluta e parë është që i lejon bisedimet, por tregon edhe për çështje për të cilat nuk mund të bisedohen dhe nëse bisedimet shkojnë mbi atë bazë dhe mbi bazën e Kushtetutës, mendoj se nuk ka pse të ndërhyjë Kuvendi.

Gjithashtu Kuvendi ka rezolutën tjetër me të cilën i ka mbështetur veprimet e Qeverisë së Kosovës që kanë ndodhur me 25 korrik dhe realisht Kuvendi qëndron prapa kësaj rezolute siç Kuvendi do të kërkojë nga institucionet e Kosovës, në ketë rast nga qeveria, që të respektohet dokumenti bazik i shtetit, që është Kushtetuta.

RADIO EVROPA E LIRË
Kuvendi i Kosovës këto ditë ka miratuar me procedurë të përshpejtuar një numër ligjesh, për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga raporti i progresit i Komisionit Evropian. Sa në fakt janë të zbatueshme këto ligje?

JAKUP KRASNIQI
Këto ligje që janë sjellë dhe është bërë zhurmë në Kuvend, ndoshta me tepër është dashur që të rregullohen ato çështje me akte nënligjore se sa me ligje, prandaj edhe çështja e këtyre ligjeve nuk ka qenë mirë e sqaruar në Kuvendin e Kosovës.

Kurse ligjet e tjera që janë miratuar jo edhe aq me procedurë të përshpejtuar kryesisht shumica e tyre kanë qenë ligje që në një mënyrë kanë qenë të miratuara por ka disa ndryshime dhe ato ndryshime nuk janë shumë të thella siç është për shembull edhe ligji i prokurimit publik. Mendoj që këto lidhje janë punuar në një kohë të gjatë dhe në ketë rrafsh mendoj që kuvendi ka kryer një obligim ligjor që e ka për miratimin e ligjeve dhe konsideroj që ligjet që janë miratuar janë ligje të mira.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, Kuvendi i Kosovës këto ditë është akuzuar për, siç është thënë, “fjalor fyes ndaj Islamit” dhe “komunizëm”, për shkak të vendimit që ka marrë në ndërlidhje me edukatën fetare në sistemin arsimor. Si do të përgjigjeshit?

JAKUP KRASNIQI
Unë mendoj që fjala e deputetëve ka qenë mjaft korrekte. Ka pasur debat, ka pasur teprime, ka pasur edhe ndonjë fyerje, që unë më tepër e kam dhënë vet një përgjigje në seancë se nganjëherë disa shprehje të deputetëve vinë nga mungesa për të gjetur shprehjen dhe fjalën adekuate për çështje të caktuara. Kurse sa i përket kërkesave për t’u futur edukata fetare në gjuhën shqipe, mund të them që kërkesa ka qenë jo kushtetuese.

Kushtetuta e përcakton Kosovën shtet laik, dhe në këtë rrafsh ndoshta ka qenë jo kushtetuese vetë mënyra se si janë bërë disa amendamente, dhe ne do t’i shikojmë edhe në të ardhmen amendamentet e kësaj natyre, por amendamentet që prekin çështjet që janë të kufizuara ose të kornizuara në Kushtetutën e Kosovës, vërtetë mos t’i dërgohen seancës.

Sepse, në fund të fundit, Kuvendi, si institucion që ka miratuar Kushtetutën, ka për obligim ta mbrojë atë, dhe të mos lejojë amendamentime jo kushtetuese. Kjo është detyrë e Kuvendit të Kosovës si institucion.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG