Ndërlidhjet

logo-print

Zbulohen dokumente për punën e inteligjencës së Qaddafit


Raportohet se janë gjetur dokumente të cilat vënë në pah lidhjet e viteve të fundit ndërmjet agjensive inteligjente të Muammar Qaddafit dhe homologëve amerikanë dhe britanikë të tyre.

Dokumentet e siguruara nga organizata ndërkombëtare Human Rights Watch thuhet se përfshijnë korrespondencën ndërmjet krerëve të CIA-së dhe MI6-it me ish-shefin e inteligjencës së Qaddafit, Moussa Koussa.

Koussa akuzohet nga organizatat për të drejtat e njeriut për përfshirje në veprime çnjerëzore.

Dokumentet thuhet se janë gjetur në një ndërtesë të agjencisë libiane të sigurisë në Tripoli.

Disa nga dokumentet thuhet se japin detaje për transferimin e të dyshuarve lidhur me terrorizmin për në Shtetet e Bashkuara.

Sipas “The Associated Press”, zëdhënësja e CIA-së, Jennifer Youngblood, nuk ka dashur të komentojë akuzat specifike lidhur me dokumentet në fjalë. Mirëpo, ajo citohet të ketë thënë se “Nuk mund të jetë befasuese që Agjencia Qendrore e Inteligjencës punon me qeveritë e vendeve të tjera për të ndihmuar mbrojtjen e shtetit nga terrorizmi dhe kërcënime të tjera vdekjeprurëse”.
XS
SM
MD
LG