Ndërlidhjet

Aktivistët e "Vetëvendosjes" sulmojnë Tahirin me domate


Dhjetëra aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje kanë hedhur domate në drejtim veturës së shefes së delegacionit kosovar në bisedime me Beogradin, Edita Tahiri.

Ngjarja ndodhi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës pas konferencës për media të cilën Tahiri e mbajti lidhur me kthimin nga Brukseli ku kishte zhvilluar takimin e radhës me homologun e saj serb, Borko Stefanoviq.

Policia e Kosovës arrestoi mbi 30 aktivistë të kësaj partie, në mesin e të cilëve edhe disa anëtarë të Vetëvendosjes që janë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Përmes nëj komunikate për media, Vetëvendosja dënoi arrestimin e aktivistëve të saj duke e quajtur “brutal” veprimin e pjesëtarëve të policisë.

“Ndërhyrja brutale e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nuk i kurseu as deputetet e Kuvendit të Kosovës të cilat i ishin bashkuar kësaj proteste. Me këtë rast policët e Kosovës e shkelën rëndë ligjin dhe imunitetin e deputetit, sipas të cilit deputeti nuk guxon në asnjë mënyrë të arrestohet e as ndalohet kur është duke kryer detyrat e veta politike, çfarë edhe është protesta”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Aksioni ndaj zëvendëskryeministres Tahiri thuhet se është bërë si shenjë proteste për vazhdimin e bisedimeve me Beogradin zyrtar.
XS
SM
MD
LG