Ndërlidhjet

Qeveria dënon aksionin e “Vetëvendosjes”


Qeveria e Kosovës ka shprehur “indinjatën” dhe ka dënuar fuqimisht protestën e aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje ndaj zëvendëskryeministres së Kosovës, Edita Tahiri.

Përmes një komunkate për media, ekzekutivi kosovar e quajti “akt politikisht të papërgjegjshëm dhe në kundërshtim me ligjin” aksionin e Vetëvendosjes, gjatë të cilit aktivistët e kësaj lëvizjeje tentuan të bllokojnë rrugën e kthimit të Tahirit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës duke hedhur domate në drejtim të veturës së saj zyrtare.

Ngjarja ndodhi pas kthimit nga Brukseli të shefes së delegacionit kosovar në bisedime me Serbinë, ndërsa thuhet se është protestuar si shenjë kundërshtimi ndaj vazhdimit të bisedimeve me shtetin serb.

Mirëpo, qeveria vlerësoi se bisedimet do të çojnë “në njohjen reciproke të dyja shteteve dhe në normalizimin e marrëdhënieve në rajon”.

Qeveria shprehu përkushtimin e saj për të vazhduar angazhimet “për të konsoliduar shtetin e Kosovës, për mirëqenien e qytetarëve të vet dhe të forcoj partneritetin e vet me të gjitha strukturat ndërkombëtare në procesin e integrimeve euroatlantike”.

Qeveria u bëri gjithashtu thirrje mekanizmave të sigurisë dhe të drejtësisë që t’i trajtojnë “të gjitha aktet e dhunës”.
XS
SM
MD
LG