Ndërlidhjet

logo-print

Irani fillon furnizimin e rrjetit elektrik me energji bërthamore


Agjencia iraniane e lajmeve ISNA njoftoi se uzina e parë bërthamore e Iranit ka nisur të furnizojë rrjetin kombëtar të energjisë elektrike të vendit.

Sipas ISNA-s, uzina bërthamore e Bushehr, e cila është ngritur pas shtyrjeve disa vjeçare, u aktivizua të shtunën mbrëma.

Zëdhënësi i Organizatës Iraniane për Energji Bërthamore, Hamid Khadem Qaemi, tha se uzina e Bushehr parashihet të operojë me 40 për qind të kapacitetit të saj pas inaugurimit zyrtar më 12 shtator.

Irani është nën sanksione ndërkombëtare për shkak të frikës që plani i tij bërthamor të ketë për qëllim prodhimin e armëve bërthamore-gjë që është mohuar nga Teherani zyrtar.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në një raport të publikuar këtë fundjavë bëri të ditur se “është e shqetësuar edhe më shumë” për shkak të informatave të inteligjencës sipas të cilave Irani po vazhdon të punojë fshehtësisht në zhvillimin e armëve bërthamore.
XS
SM
MD
LG