Ndërlidhjet

logo-print

Miratimi i shpejtë i ligjeve hap probleme


Kuvendi i Kosovës - foto arkiv

Kuvendi i Kosovës - foto arkiv

Në bazë të kërkesave të Komisionit Evropian, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, gjatë javës së fundit, janë pajtuar dhe kanë aprovuar një numër të konsiderueshëm të ligjeve me procedura të shpejtuara.

Miratimi i tillë i ligjeve është arsyetuar me faktin se Kosova synon të shënojë më shumë përparime në Raportin e ardhshëm të Progresit të Komisionit Evropian.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, thotë se miratimi i këtyre ligjeve ka anët pozitive për kah plotësimi i numrit të ligjeve që kërkohen nga Komisioni Evropian, por sfidë, thekson ai, mbetet zbatimi i tyre.

“Ajo që është parë edhe nga përvoja e legjislaturave të kaluara, është se miratimi me shpejtësi i një numri të ligjeve ka sjellë seriozisht probleme në implementimin e tyre, sepse miratimi i ligjeve nuk nënkupton asgjë nëse ato nuk zbatohen”.

“Ky mbetet problemi kryesor tash në Kosovë, sepse sundimi i ligjit dhe lidhshmëria edhe me monitorim nga ana e Kuvendit janë probleme serioze që çdo vit i paraqet Raporti i Progresit. Edhe këtë vit do të mbetet sfida kryesore”,
thotë Haziri.

Analisti i çështjeve integruese, Fatmir Curri, thotë se miratimi i ligjeve me procedura të shpejta vjen si pasojë e punëve të grumbulluara dhe trajtimit të tyre në momentin e fundit. Sipas tij, procedurat e shpejta nuk e ndihmojnë procesin integrues të Kosovës dhe as harmonizimin e legjislacionit me standardet e kërkuara evropiane.

“Aprovimi me procedurë të shpejtë i ligjit nuk do t’i bëjë mirë procesit, meqenëse Komisioni Evropian insiston përmbushjen e pakos legjislative, nuk insiston ose nuk kërkon nga Kosova domosdo që ato të kryhen pa marrë parasysh se cili është çmimi”.

“Ka qenë një tentativë disi, se si të demaskohet zbehtësia e punës gjatë këtyre gjashtë muajve të fundit. Natyrisht që nuk mund të varet procesi i integrimit evropian prej suksesit të një dite”,
thekson Curri.

Nga të gjitha ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian, dy prej tyre nuk janë miratuar. Bëhet fjalë për Ligjin për RTK-në dhe atë për Qendrën Historike të Prizrenit.

Përderisa Ligji për RTK-në është thënë se do të marrë më shumë kohë për shkak të kompleksivitetit të tij, ai për Qendrën Historike të Prizrenit është refuzuar nga ana e deputetëve, për shkak të ingerencave shtesë që i jepen Kishës Ortodokse.

Kryeministri Hashim Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi ka qortuar gjatë javës deputetët, duke thënë se ata e kanë miratuar Pakon e Ahtisarit dhe se duhet ta zbatojnë atë deri në fund.

“Dokumentin e presidentit Ahtisari e kanë pranuar shumica e partive politike, prandaj është një përgjegjësi e përbashkët shtetërore që nuk është e drejtuar kundër askujt, por është për përshpejtimin e pavarësisë së mbikëqyrur, për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë”.

“Pavarësia e mbikëqyrur përmbyllet shpejt vetëm duke përmbyllur me sukses implementimin e plotë të Dokumentit të presidentit Ahtisari”,
ka thënë Thaçi.

Sidoqoftë, institucionet e Kosovës sivjet presin më pak përparime të evidentuara në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian. Gjatë vizitës së fundit në Kosovë, drejtori për Ballkanin Perëndimor i Komisionit Evropian, Pier Mirel, pat deklaruar se sivjet Kosova ka shënuar pak përparime, duke paralajmëruar një Raport të Progresit me më shumë sfida, i cili do të lëshohet më 12 tetor.

Raportet e Progresit janë një lloj matësi i përparimeve që Komisioni Evropian i merr parasysh për vendet që aspirojnë integrimet evropiane.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG