Ndërlidhjet

Zyrtarë të lartë nga Qeveria e Serbisë dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë qëndruar sot në Patrikanën e Pejës, me rastin e një ceremonie fetare.

Hyrjen dhe qëndrimin e zyrtarëve serbë në ceremoninë kishtare e kanë konfirmuar fillimisht zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë sigurimin e udhëtimit të tyre nga kufiri i Kosovës me Malin e Zi deri në Pejë.

Edhe përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se për disa zyrtarë të lartë të Qeverisë së Serbisë, të cilët kanë qëndruar në Kosovë, është dhënë leja e qëndrimit nga ana e autoriteteve të vendit.
Leje për të qëndruar në Kosovë kanë marrë: Ivica Daçiq dhe Goran Bogdanoviq.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka përmendur disa zyrtarë, që kanë marrë leje për të qëndruar në Kosovë.

“Leje për të qëndruar në Kosovë kanë marrë: Ivica Daçiq dhe Goran Bogdanoviq. Atyre u është lejuar të hyjnë në Kosovë”, ka thënë Rexhapi.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se “ekziston një procedurë për hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë”.

“Mund të pyesni Qeverinë e Kosovës nëse kanë marrë një kërkesë të tillë", thuhet në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë.

Siç mësohet, në ceremoninë fetare me rastin e inaugurimit të vikarit të ri të patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, kanë marrë pjesë zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, dhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq.

Qeveria e Kosovës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, citohet të ketë thënë se “Qeveria i ka dhënë leje vetëm Daçiqit dhe Bogdanoviqit, por jo edhe Dodikut”.

Zyrtari për informim i Policisë së Kosovës në Komunën e Pejës, Zeqir Kelmendi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se rreth 800 deri në 1,000 veta kanë hyrë në Kosovë, paraditen e sotme.

“Ne i kemi përcjellë prej pikës kufitare të Malit të Zi deri në Patrikanë dhe do t’i përcjllim edhe anasjelltas. Jemi duke u kujdesur për sigurinë e tyre”, është shprehur Kelmendi.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kritikuar lejimin e hyrjes së zyrtarëve të lartë serbë në territorin e Kosovës.

Xhelal Sfeqla, anëtar i kësaj lëvizjeje, ka thënë se Qeveria e Kosovës, në krahasim me qytetarët e saj, “me Serbinë po tregohet shumë e kujdesshme”.

“Qeveria e Kosovës ka dy kute sa i takon edhe zbatimit të ligjit në Kosovë, por edhe sa i takon të drejtës së qytetarëve të Kosovës për vullnetin e tyre politik. Përderisa ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, me mekanizmat e saj, me urdhrat e saj, është jashtëzakonisht brutale, me Serbinë ajo është jashtëzakonisht e butë”, ka thënë Sfeqla.

Kohë më parë, vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pat ndaluar hyrjen pa leje të cilitdo zyrtar serb në Kosovë.

Ai për këtë çështje i pat dërguar një letër shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, duke thënë se “liderët serbë që vizitojnë Kosovën, nuk janë njerëz të fjalës”.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG