Ndërlidhjet

"Raport kalues" për Shkupin


Shkup
Shkup
Maqedonia ka arritur t’iu përgjigjet të gjitha çështjeve që janë ngritur nga Brukseli në listën e re të kritereve që duhet të përmbushen për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministrja për çështje evropiane, Teuta Arifi, thotë se ekzekutivi ka përgatitur një plan aksionar, që parasheh përmbushjen e këtyre obligimeve që përmenden në të ashtuquajturën “letrën e Saninos”.

Afati i dorëzimit të përgjigjeve skadon nesër, kur në Shkup pritet të arrijë komisionari për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle, për t’u njohur nga afër me rrjedhën e reformave.

Fyle gjithashtu do të marrë pjesë në një konferencë kushtuar 10-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, zbatimi i së cilës po ashtu është kusht për integrimin e Maqedonisë.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrja Arifi thekson se institucionet duhet ende të punojnë në reformimin edhe të administratës, të pushtetit gjyqësor, që vazhdon të jetë në monitorimin e BE-së, dhe në sfera të tjera ku gjithashtu vërehen ngecje.

Përkundër kësaj, Arifi pret që Raporti i Progresit të pasqyrojë në mënyrë reale atë që është bërë dhe që duhet të bëjë Maqedonia në rrugën e integrimit në BE.

“Unë mendoj se do të kemi një raport me notë kaluese. Pra, nuk do të marrim ndoshta notë të lartë, por në situata të caktuara me rëndësi është të kaloni. Unë këtë optimizëm e bazoj edhe në përgjigjet që i dhamë listës së re të kritereve të BE-së. Këtë e bazoj edhe në nxitjen që mund t’i japim procesit. Gjithashtu, mendoj se në raport do të pranohet edhe fakti se kishim zgjedhje të mira”, deklaron Arifi.

Por, ndryshe vlerësojnë analistët politikë në Maqedoni. Albert Musliu thotë se raporti i këtij viti nuk do të ndryshojë aspak nga ai i një viti më parë.

“Maqedonia gjithsesi se nuk mund të presë një raport që do të jetë më i bukur se ai i vitit të kaluar. Ka disa sfera ku sigurisht ka përmirësime. Mendoj se sa i përket organizimit të procesit zgjedhor, mund të ketë do vërejtje të caktuara, por në përgjithësi do të vlerësohet puna pozitive që është bërë në këtë drejtim”.

“Por, gjithsesi, vërejtjet më të mëdha do t’i kemi sa i përket depolitizimit të administratës, pavarësisë së sistemit gjyqësor, dialogut politik, marrëdhënieve ndëretnike e të tjera
”, thotë analisti Musliu.

Ligjëruesi i çështjeve evropiane, Nikolla Dujovski, thekson se raporti, përveç sferave që tashmë dihen, kritikues do të jetë në veçanti ndaj ndërhyrjes së pushtetit në pavarësinë e mediave.

“Sërish do të ketë vërejtje kryesisht lidhur me sistemin gjyqësor dhe të drejtat fundamentale. Në këto, Maqedonia edhe tani ngec në pjesën e reformave. Përmbushja e kritereve politike sërish aktualizohet me brengosjen e Brukselit lidhur me ndërhyrjen e panevojshme të pushtetit në punën e mediumeve”.

“Ne veçanti, mendoj se do të potencohet Ligji i ri për radiodifuzion, rritja e numrit të anëtarëve të këtij organi që është jashtë të gjitha normave evropiane”,
thotë Dujovski.

Musliu vlerëson se ngecjet nuk janë rezultat i mungesës së kapaciteteve shtetërore për t’i përmbushur kriteret, por për shkak të mungesës së vullnetit politik. Në këtë kuadër, Musliu thekson se qeveria u ka kushtuar më shumë vëmendje çështjeve të brendshme politike dhe se nuk është vetëm kontesti rreth emrit me Greqinë që pengon procesin e integrimit të vendit.

“Domethënë, nuk është problem vetëm emri. Maqedonia, realisht, viteve të fundit nuk i ka pasur prioritet reformat dhe proceset integruese, por kemi qenë dëshmitarë se Maqedonia më prioritet ka pasur çështjet e brendshme politike, si çështja e ndërtimit të identitetit nacional, çështjet e ndryshme të politikës ditore etj. Kështu që, proceset reformuese dhe gjithçka që shkon krahas tyre, nuk kanë qenë prioritet i Qeverisë së Maqedonisë”, thotë Albert Musliu.
XS
SM
MD
LG