Ndërlidhjet

Kontrolli i pikave kufitare në veri nga ana e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës ka bërë që kontrabanduesit, të cilët në mënyrë ilegale kanë futur mallra nga këto pika, të tentojnë të përdorin pikat e tjera kufitare për aktivitetet e tyre.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilevci, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur raste kur kontrabanduesit kanë tentuar të fusin mallra nga pika kufitare në jug të Kosovës. Ai thotë se kontrabanda më së shumti po bëhet me mallra ushqimore.

“Kemi pasur raste kur kemi zënë tentim të kontrabandës me mallra të Serbisë, si vaj - mallra të vlerës së ulët, që nuk kalojnë shumën prej 500 eurosh. Këto raste kanë qenë në rajonin e Gjilanit. Aty ka rrugë sekondare, ku kontrabanduesit tentojnë për t’i futur mallrat e tyre”, thekson Stavilevci.

Sipas tij, një mall që ndalohet, çdoherë shndërrohet në një mall atraktiv për kontrabandë, pasi që, siç thotë Stavilevci, edhe përfitimet mund të jenë më të mëdha.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët policorë kanë hasur në persona, të cilët kanë zhvilluar kontrabandë në pjesën jugore të Kosovës. Por, megjithatë, ai thotë se kontrabanda në përgjithësi ka shënuar rënie.

“Është ulur numri i rasteve të kontrabandës. Mund të themi se në të gjitha pikat kufitare me Kosovën ka pasur rënie të kontrabandës, por ka ende në sasi të vogla”, shprehet Kelani.

Foto ilustruese
Pikat kufitare 1 dhe 31, me vite të tëra, janë vlerësuar të jenë “oazë e krimit të organizuar dhe kontrabandës” së mallrave të ndryshme. Moskontrollimi i pikave doganore nga institucionet e Kosovës iu kishte mundësuar kontrabanduesve që të fusin mallra pa iu nënshtruar obligimeve fiskale.

Tani, pas deklarimit të pikave kufitare në veri zona ushtarake, kontrabanda, edhe sipas zëdhënësit të Doganave, Stavilevci, ka shënuar rënie.

“Numri i rasteve në tërësi prej 20 korrikut, kur ka filluar edhe aplikimi i reciprocitetit, ka arritur mbi 240 raste të kapura në kontrabandë, kurse rastet me mallra të Serbisë, të cilët nuk e kanë përfillur vendimin e qeverisë, janë mbi 50”, thotë Stavilevci.

Nga mosmbikëqyrja e pikave doganore në kufirin Kosovë - Serbi, Kosova, çdo vit, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në vend, ka humbur miliona euro. Ndërsa, tani, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, rritja e të hyrave tregon qartë se kontrabanda ka shënuar rënie.

Përftimet ekonomike pas aplikimit të masave të reciprocitetit i ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG