Ndërlidhjet

Teherani, i shqetësuar me Damaskun

  • RFE /RL

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, dhe ai i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad - foto nga arkivi.

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, dhe ai i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad - foto nga arkivi.

Irani po mban një shikim dyshues në Siri, ku protestat anti-qeveri po zhvillohen tash e pesë muaj, përkundër goditjes, nga e cila raportohet se deri tash kanë mbetur të vrarë mbi 2 mijë persona.

Siria është partneri më i rëndësishëm strategjik i Iranit në Lindjen e Mesme.

Analistët thonë se shkatërrimi i regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Asad, do të ishte humbje serioze për Republikën Islamike të Iranit.

Njohësi i rrethanave në Lindjen e Mesme, Mohamed Xhavad Akbarein, për këtë çështje, thotë:

“Rënia e Asadit do të krijonte vakum strategjik për Republikën Islamike, që nuk do të jetë i lehtë për t’u plotësuar. Republika Islamike preferon që me çdo çmim - sa më shumë që mund ta bartë ekonomikisht dhe ushtarakisht - të qëndrojë me Bashar al-Asadin dhe t’i shkatërrojë ata që e kundërshtojnë atë”, thotë Akbarein.

Komentet e zyrtarëve të Teheranit po ashtu kanë synuar në përmirësimin e imazhit të dëmtuar të Iranit në mesin e sirianëve.

Protestat në Siri
Raportohet se protestuesit në Siri i kanë djegur flamujt e Iranit dhe kanë brohoritur parulla kundër Republikës Islamike, në shenjë të hakmarrjes për mbështetjen e fuqishme për presidentin Asad.

Analisti Akbarein thotë se autoritetet e Iranit synojnë një lloj të zbutjes së urrejtjes që është krijuar në Siri.

“Autoritetet e Iranit dëshirojnë ta ulin urrejtjen dhe zemërimin, që është krijuar në shoqërinë siriane ndaj Iranit, për shkak të mbështetjes së qartë për Asadin. Ata po ashtu i bëjnë këto komente për t’i mbrojtur interesat, në rast të shkatërrimit të regjimit të Asadit”, thotë Akbarein.

Sipas analistit Meir Xhavedanfar, nëse situata në Siri përkeqësohet, atëherë politika e Iranit mund të ndryshojë.

Për Republikën Islamike prioritet është interesi dhe mirëqenia e regjimit. Nëse situata bëhet e patolerueshme dhe Asadi do të detyrohej të largohej, atëherë establishmenti iranian do të përpiqet t’u afrohet anëtarëve të opozitës, me qëllim që të ketë një lloj dialogu me ta”, thotë Xhavedanfar.

Gazetari iranian, Shahram Rafizadeh, beson se, tash për tash, politika kryesore e Teheranit është që të jetë e sigurt se Asadi mbetet në pushtet.

“Hamnei dhe Garda Revolucionare kanë shumë gatishmëri për ta mbështetur Asadin që të mbetet në pushtet. Duket se ata bile janë të gatshëm të paguajnë çmim të lartë për arritjen e qëllimit”, thotë gazetari Rafizadeh. (f.b.)
XS
SM
MD
LG