Ndërlidhjet

logo-print
Pas aplikimit të reciprocitetit për produktet e Serbisë dhe ato të Bosnjë e Hercegovinës, institucionet e Kosovës, deklaruan përfitime të mëdha buxhetore dhe ekonomike për vendin.

Udhëheqësit e lartë shtetërorë madje promovonin edhe kompani e fabrika që mbijetonin pa produktet serbe.

Megjithatë, këto përfitime nuk zgjatën shumë, për shkak se Serbia pranoi vulat e Doganave të Kosovës.

Ekspertët e çështjeve ekonomike të Kosovës kritikojnë autoritetet kosovare për euforinë e madhe që bënin pas vendimit për bllokimin e produkteve serbe.

Vendimi për reciprocitet, sipas tyre, është dashur të mbetet kaq, reciprocitet.

Njëri nga njohësit e rrethanave ekonomike, Alban Hashani, thotë se tani Kosova duhet të fuqizojë prodhimin vendor dhe si i tillë produktet kosovare të jenë më konkurruese.

Ne si nënshkruese të marrëveshjes së CEFTA-s nuk duhet të krijojmë probleme në bllokimin e ekonomisë, sepse në instancën e fundit kjo nuk do të jetë në favor as të Kosovës, megjithatë krijimi i rregullave ose vendosja në një peshore të tregut të Kosovës me tregun e Serbisë në nivel të barabartë do të jetë një mundësi e konkurrencës ‘fer’, nën supozimin se do të luftohet informaliteti dhe evazioni fiskal dhe brenda Kosovës do të mbizotërojë konkurrenca dhe në instancën e fundit nga konkurrenca përfitojnë konsumatorët ”, thekson Hashani për Radion Evropa e Lirë.

Vendimi për masa të reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë, Qeveria e Kosovës e kishte marrë më 20 korrik të këtij viti.

Pas këtij vendimi, udhëheqësit e institucioneve të vendit kishin përfolur për përftime të mëdha ekonomike.

Vetëm nga Doganat e Kosovës patën deklaruar se ishin shënuar të hyra deri në 5 milionë euro, ndërkaq, po ashtu ishte konfirmuar edhe interesimi i investitorëve të huaj.

Ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të ketë përftime ekonomike, nëse është ndaluar qarkullimi i lirë i mallrave.

Unë mendoj që ajo ka qenë marketing politik. Përftime të hyrave buxhetore nga kjo nuk ka hiq, unë mendoj që është dëmtuar. Këtë do ta shohim edhe nga raporti i Doganave të Kosovës sepse sido që të jetë është ndaluar qarkullimi i mallrave”, thekson Shatri.

Pavarësisht faktit që Kosova është bërë pjesë e marrëveshjeve të ndryshme rajonale, në vazhdimësi në tregun kosovar ka pasur bilanc negativ tregtar.

Serbia në Kosovë brenda një viti ka importuar rreth 400 milion euro, derisa Kosova për tre vite nuk ka eksportuar as një mall për shkak se Serbia kishte bllokuar produktet kosovare.

Lidhur me këtë çështje, ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri thotë se derisa importi i Serbisë në Kosovë është dukshëm më i lartë se sa eksporti i Kosovës në Serbi, Qeveria e Kosovës mund të vendosë akcizë në mallra të caktuara.

Mundemi si shtet të vëmë masa që mund të aplikohen dhe praktikohen të aplikohen ne vendet ku kanë një tregti të lirë, kjo mund të vendoset në formë të akcizës në mallra të caktuara. Dhe kjo nuk mund të shihet me një sy të keq as nga vendet e Bashkimit Evropian dhe çdo vend sovran mund ta bëjë”, thotë Shatri.

Edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Agron Demi thotë për Radion Evropa e Lirë se tani, pas pranimit të vulave të Doganave të Kosovës nga Beogradi zyrtar, qeveria mund të vendosë masa tjera për produkte serbe, masa këto që, siç thekson Demi, do të jenë në favor të ekonomisë kosovare.

Qeveria e Kosovës sërish do të duhej të vendoste kuota për produktet serbe, sidomos për ato që i konkurrojnë prodhimeve vendore, për arsyeje se është para që këto ditë nuk ka pasur rritje të çmimeve. Dhe kjo do të ndihmonte bizneset vendore. Në anën tjetër, kjo lejohet edhe në marrëveshjen për tregti të lirë CEFTA”, thotë Demi.

Ndryshe, ekspertët e ekonomisë shpresojnë që së shpejti Qeveria e Kosovës të bëjë një strategji për stimulimin e prodhuesve vendorë dhe po ashtu ata shprehën se edhe vetë konsumatori nuk do të vazhdojë t’i ketë preferencat që i ka pasur ndaj produkteve të Serbisë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG