Ndërlidhjet

logo-print
Përmbajtja e marrëveshjeve të fundit të arritura në bisedimet Prishtinë – Beograd nuk është sqaruar, jo vetëm për opinionin dhe mediat, por edhe për subjektet politike dhe institucionet, thonë përfaqësues politik si dhe analistët.

Duke iu referuar marrëveshjes për vulat e doganave, sipas tyre, i vetmi detaj i sqaruar është se Serbia ka pranuar vulat e doganave të Kosovës, por pa u sqaruar se në çfarë kushtesh do të zhvillohet bashkëpunimi tregtar midis dyja vendeve.

Analisti Halil Matoshi beson se marrëveshja do ta kthejë gjendjen në pikën fillestare para vendosjes së masave të reciprocitetit dhe para aksionit të qeverisë për marrjen e pikave doganore në veri.

Pala serbe pretendon që për veriun, përkatësisht për pikën 1 dhe 31 do të ketë bisedime tjera, gjë që pala kosovare e mohon këtë mundësi. Mirëpo, faktikisht gjendja, mendoj se do të kthehet me këtë marrëveshje para 25 korrikut, gjë që do të mundësojë që kontrollin atje sërish do ta kenë strukturat paralele të Serbisë në Kosovë”, thekson Matoshi.

Ndërkohë, deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se në këtë fazë kur asgjë, sipas tij, nuk është transparente, është shumë vështirë të vlerësohet se cilat do të jenë rezultatet dhe efektet e marrëveshjeve.

Ai paralajmëron kryenegociatoren Edita Tahiri dhe qeverinë se shumë shpejt do të ftohen në Kuvend për të sqaruar në fakt se për çfarë janë marrë vesh me delegacionin serb në takimin e fundit në Bruksel.

Edhe njëherë po tregohet se qeveria është larg prej të qenit transparent, ndërkaq ky proces është tepër i rëndësishëm për Kosovën.
Ne insistojmë që tekstet e marrëveshjeve të vijnë në kuvendin e Kosovës, për shkak se pa i pasur tekstet e marrëveshjeve dhe detajet e tyre nuk mund të themi se ato janë në favor apo në kundërshtim të interesave të qytetarëve. Edhe njëherë po tregohet se qeveria është larg prej të qenit transparent, ndërkaq ky proces është tepër i rëndësishëm për Kosovën”, vlerëson Ramadani.

Në anën tjetër, analisti Halil Matoshi thotë se bisedimet për vulat, pashmangshëm që do të shpijnë tash edhe tek bisedimet për pikat kufitare në veri.

Matoshi thotë po ashtu se marrëveshjet e fundit i kanë shërbyer Serbisë që të jetë më afër statusit vendit kandidat për integrim në BE-në.

Kurse si efekt tjetër, ai pret që marrëveshje ta kthej tregun e mallrave serbe sërish në Kosovë.

Me këtë marrëveshje Serbia do të mund të fus mallrat e saj në Kosovë dhe ta 'ripushtojë' tregun e Kosovës, ndërkaq Kosova do të vazhdojë të ketë telashe të mëdha me kalimin e mallrave nëpër Serbi dhe Republikën Serbe të Bosnjës, për arsye të thjeshtë, sepse ato nuk i njohin targat e Republikës së Kosovës”, thotë Matoshi.

Zyrtarë të qeverisë sot nuk kanë komentuar përmbajtjen e marrëveshjeve për të cilat insiston opozita dhe shoqëria civile.

Ndërkohë që ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila këto ditë ka deklaruar se marrëveshja për vulat doganore nuk nënkupton heqjen e menjëhershme të masave të reciprocitetit.

Kurse Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se fillimisht duhet të rindërtohet pika doganore në Jarinë, e më pastaj atje, sipas tij, do të dërgohen policia kufitare dhe doganierët e Kosovës, në bashkëpunim me EULEX-in.

Kurse kryenegociatorja Edita Tahiri pas kthimit nga Brukselit pati deklaruar se tregtia e lirë midis Kosovës dhe Serbisë do të fillojë pasi që të krijohen kushtet operacionale në bazë të obligimeve që dalin nga CEFTA.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG