Ndërlidhjet

logo-print
Eurokomisionari për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, është shprehur optimist se deri në fund të vitit, Maqedonia mund të zgjidh problemin për çështjen e emrit që ka me Greqinë.

"Këtë ndjenjë ma jep mirëbesimi i krijuar midis kryeministrave Gruevski dhe Papandreu dhe përkushtimi i tyre për zgjidhjen e këtij problemi. Inkurajoj ata që të veprojnë dhe të punojnë sa më shumë që të jetë e mundur që sa më shpejtë të zgjidhet çështja e emrit", ka deklaruar Fyle, duke shtuar se “zgjidhja e kontestit është në favor të perspektivës së qytetarëve si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik”.

Ndërkohë, i pyetur se nëse zgjidhja e problemit të emrit a do të thotë fillim i negociatave me BE-në, Fyle theksoi se duhet të pritet raporti që do të publikohet më 12 tetor, për të parë, siç tha ai, se a duhet që Maqedonia sërish si në vitin 2009 - 2010 të marrë rekomandimin për fillimin e negociatave, duke lënë të nënkuptohet se Maqedonia çalon në disa sfera, siç është liria e të shprehurit, reformat në sistemin gjyqësor dhe administratë.

Shtefan Fyle bëri të ditur se ka pranuar dy letra lidhur me gjendjen e mediave në Maqedoni dhe se sipas tij, ato kanë të bëjnë me sfidat me të cilat ballafaqohen mediat, sfida këto që secila palë në Maqedoni i sheh nën një prizëm të vetin.

Fyle tha se liria e mediave është e rëndësishme për demokratizimin e vendit.

Nga ana tjetër, kryeministri Gruevski deklaroi se Maqedonia pret që raporti i progresit të jetë objektiv, njëherazi ka kërkuar që BE të mbetet e fokusuar në Ballkan.

Ai gjithashtu ka shprehur angazhim maksimal për zgjidhjen e çështjes së emrit, si realizimin e reformave ndaj standardeve evropiane.

Lidhur me çështjen e emrit theksova se qasja jonë për këtë mbetet pro-aktive, konstruktive, nën mbikëqyrje të Kombeve te Bashkuara me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme mes Greqisë dhe Maqedonisë, e cila nuk do të dëmtojë identitetin nacional, kulturor dhe atë të gjuhës as për popullin maqedonas e as për atë grek”, është shprehur Gruevski.

Pas takimit me zëvendëskryeministren për çështje të integrimeve, Teuta Arifi, eurokomisionari për zgjerim, Shtefan Fyle, ka marrë pjesë dhe në një konference kushtuar Marrëveshjes së Ohrit.

Me këtë rast Misa Xhaferi, përgjegjës për jetësimin e dokumentit kornize të Ohrit ka theksuar se kjo marrëveshje jo vetëm që solli paqen pas konfliktit të armatosur, por në masë të madhe ka ndihmuar në demokratizimin e vendit sipas standardeve të vendeve të BE-së.

Është bindja ime e thellë se tani në dhjetë vjetorin e Marrëveshja e Ohrit dhe 20 vjetorin e pavarësimit të Maqedonisë, është një moment adekuat për të bërë vlerësimin e procesit të demokratizimit dhe decentralizimit të vendit, proces ky që bazën e ka po në Marrëveshjen e Ohrit”. është shprehur Xhaferi.

Nga ana tjetër, Fyle ka sugjeruar që politikanët në Maqedoni të shfrytëzojnë frymën progresive të Marrëveshjes së Ohrit, edhe në arritjen e një konsensusi për çështjen e emrit.

Shteti do të jetë i suksesshëm nëse për zgjidhjen e sfidave të sotme përdor frymën dhe vizionin e para dhjetë vjetëve, kur politikanët e vjetër, përfaqësuesit e komuniteteve etnike gjetën konsensus për disa çështje shumë të rëndësishme dhe unë u bëjë thirrje atyre që përsëri të jenë po aq të guximshëm dhe gjithëpërfshirës, të ballafaqoheni me problemet mes jush dhe negociatave për anëtarësim në BE. Nëse nuk arrihet zgjidhje shteti rrezikon që të mbetet pas” ka porositur Fyle.
XS
SM
MD
LG