Ndërlidhjet

Dokumentet përcjellëse s'janë diskutuar


Doganat e Kosovës

Doganat e Kosovës

Serbia ka pranuar vulat e Doganave të Kosovës, por çështje e diskutueshme për komunitetin e bizneset mbetet se a do t’i pranojë dokumentet tjera përcjellëse për eksportin e mallrave kosovare, në të cilat shkruan “Republika e Kosovës”.

Shani Mullabazi, menaxher në kompaninë “Stone Castle”, shprehet skeptik në zbatimin e marrëveshjes se arritur për pranimin e vulave të Doganave të Kosovës, pasi thotë ai, eksporti i mallrave nuk lidhet vetëm më vulën doganore, por e përcjellin edhe pesë dokumente të tjera, në të cilat paraqiten simbolet e shtetësisë se Kosovës.

Vreshtaria dhe verëtaria “Stone Castle” në Rahovec, është një ndër kompanitë që më se shumti ka pësuar humbje që nga viti 2008, kur Serbia pati ndaluar hyrjen e mallrave kosovare në tregun e saj, dhe nuk ka lejuar që as transit të kalojnë nëpër këtë shtet.

Mullabazi, me padurim pret fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshje, në mënyrë që të shfrytëzojë territorin e Serbisë, që produktet e tij, t’i eksportojë në tregjet evropiane.

Ne për të verifikuar një gjë të tillë, menjëherë, kur të fillojë zbatimi i marrëveshjes, do të eksportojmë produktet tona në mënyrë që të shikojmë se cilat do të jenë rezultatet. Nuk jam shumë optimist, sepse ata shpeshherë dinë t’i bëjnë ‘bisht’ marrëveshjeve. Por, nëse realizohet marrëveshja është shumë mirë për ne”, thotë Mullabazi.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se marrëveshja e arritur në raundin e fundit të bisedimeve në mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk është e qartë.

Shahini, vlerëson se arritja e kësaj marrëveshjeje në të ardhmen do të pasojë me mos marrëveshje tjera.

Ai dyshon se Serbia do të pranojë dokumentet tjera përcjellëse për eksportin e mallit.

Nëse nuk pranohet certifikata e mallit në të cilën shkruan Republika e Kosovës, një gjë që dyshoj që Serbia do të pranojë, sepse kjo nuk është pjesë e marrëveshjes, kjo do të krijojë telashe të cilat do t’i sjellin bizneseve kosovare”, shprehet Shahini.

Edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, njëherësh zëvendëskryeministre e Kosovës, Mimoza Kusari- Lila, pranon se kur është arritur marrëveshja për pranimin e vulave doganore, nuk ka pasur ndonjë diskutim të veçantë lidhur më detajet për dokumentet përcjellëse.

Por, megjithatë Kusari- Lila, siguron se për çdo pengese të paraqitur nga autoritete serbe, Kosova do të aplikojë masa reciproke.

Sipas saj, marrëveshja do të jetë funksionale, vetëm në momentin, kur do të pranohen të gjitha dokumentet e nevojshme për eksport të produkteve kosovare.

Nëse nuk arrihet një zgjidhje në raport më pranimin e dokumenteve, as ne nuk mund të pranojmë, për arsye se në momentin kur është vendosur masa e reciprocitetit, është vendosur konform pengesave që i ka shkaktuar Serbia më herët për Kosovën..

Nëse nuk arrihet një zgjidhje në raport më pranimin e dokumenteve, as ne nuk mund të pranojmë, për arsye se në momentin kur është vendosur masa e reciprocitetit, është vendosur konform pengesave që i ka shkaktuar Serbia më herët për Kosovën. E njëjta qasje do të jetë edhe tani, pasi ne nuk mund të kthehemi, sikur asgjë nuk ka ndodhur, apo sikurse masat e reciprocitetit nuk janë aplikuar asnjëherë. Prandaj, në këtë aspekt do të shikohen të gjitha modalitetet dhe çdo gjë në raport më zbatimin e marrëveshjes do të shkojë në parimin reciprok”, sqaron Kusari-Lila për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër Ariatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, tregon se çdo mall që eksportohet i nevojiten disa dokumente përcjellëse, të cilat përmbajnë simbolet e Kosovës.

Fillimisht, dokumenti kryesor që nevojitet për eksport, jo vetëm në Serbi, por në të gjitha shtetet e ndryshme, ku një eksportues kosovarë e shet mallin e vet, është dokumenti eksportues i doganës, pastaj dokumenti i origjinës, apo EUR1, në rastin e CEFTA-s dhe faturat që nevojitën për eksport”, thekson Stavileci.

Sidoqoftë, përfaqësues të komunitetit të biznesit, kërkojnë nga autoritetet kompetente se nëse Serbia paraqet probleme për eksportin e mallrave kosovare, të vazhdojnë aplikimin e masave të reciprocitetit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG