Ndërlidhjet

IHT: Parandalimi i një tjetër “11 Shtatori”


"International Herald Tribune"


Përderisa afrohet 10-vjetori i vrasjes së mijëra qytetarëve, vihet në dyshim edhe siguria nga kërcënimi i terrorizmit global.

Që nga sulmet tronditëse të 11 Shtatorit, vdekja e Osama bin Ladenit, asgjësimi i kampeve për trajnimin e terroristëve në Afganistan dhe presioni i vazhdueshëm ndërkombëtar për Al Kaidën, ka ndërruar disi edhe natyra e kërcënimit.

Sekretari i përgjithshëm i Interpolit, Ronalld Nobëll, kujton përpjekjet e dështuara për sulme - si “Komploti i Krishtlindjeve në Detroit” dhe “Bombarduesi në Time Square” - falë rritjes së sigurisë dhe të ndërgjegjësimit, inteligjencës së përmirësuar dhe veprimeve të shpejta.

Por, ai kujton edhe masakrat e tmerrshme në Bali, Kampala, Londër, Madrid, Moskë, Mumabai, Afganistan, Irak e Pakistan dhe pyet: si mund të mbrohen vendet nga elementet e mbetura të Al Kaidës dhe kërcënimet e tjera të rënda që duken në horizont?

Qytetarët, që u nënshtrohen kontrolleve të rrepta të sigurisë fizike në aeroportet e mbarë botës, janë mosbesues ndaj faktit se 10 vjet pas “11 Shtatorit”, autoritetet ende lejojnë një nga dy pasagjerë të linjave ndërkombëtare të kalojnë kufijtë e tyre pa u kontrolluar për dokumente të vjedhura apo të humbura.

Provat tregojnë se terroristët udhëtojnë duke fshehur identitetin dhe të kaluarën e tyre, me përdorimin e emrave dhe dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit.

Dështimi global për të kontrolluar siç duhet udhëtarët, mbetet hendek për sigurinë, në kohën kur informacionet dhe teknologjia janë në dispozicion.

Aktualisht, më pak se një e katërta e vendeve kryejnë kontrolle sistematike të pasaportave - në bazë të të dhënave të Interpolit - çfarë tregojnë për 30 milionë pasaporta të vjedhura apo të humbura.

Megjithatë, parandalimi i individëve të rrezikshëm nga kalimi i kufijve në aeroporte, është vetëm gjysma e sfidës.

Në kohën kur migrimi global ka arritur nivele rekorde – me rreth 214 milionë emigrantë në vitin 2010 – shfaqet nevoja që emigrantët të pajisen me dokumente biometrike, të cilat mund të verifikohen shumë shpejt, në çdo kohë dhe kudo me të dhënat e Interpolit.

Verifikimi para dhënies së lejes së punës apo të qëndrimit, do të rriste sigurinë e vendeve.

Nobëll thotë se edhe bota virtuale sfidon sigurinë. Në vitin 2000, më pak se 400 milionë individë janë lidhur me internet; deri në vitin 2015, kjo shifër pritet të rritet në 2.5 miliardë.

Përdorimi i gjerë i internetit dhe qasja e lirë në e-maile i kanë mundësuar Khalid Shaik Muhamedit, arkitektit kryesor të “11 Shtatorit”, të komunikojë shpejt dhe në mënyrë efektive më bashkëkomplotuesit.

Një dekadë më vonë, vihet në pah e njëjta fuqi që shtyn gjeneratat e reja të radikalizohen dhe të shndërrohen në terroristë.

Gjykimi i të riut në Gjermani, i cili ka fajësuar propagandën xhihadiste në internet për vrasjen e dyfishtë që ka kryer, është vetëm një shembull i kohëve të fundit.

Interneti ka zëvendësuar kampet për trajnimin terrorist në Afganistan dhe një gjë e tillë duhet të na shqetësojë, thotë Nobëll.

Kjo është arsyeja përse 188 vendet anëtare të Interpolit kanë miratuar njëzëri krijimin e një kompleksi global në Singapor, për ta përgatitur botën më mirë në luftimin e krimit elektronik dhe në rritjen e sigurisë kibernetike.

Andaj, derisa nderojmë kujtimet e atyre që vdiqën 10 vjet më parë, është koha të pyesim veten nëse kemi bërë gjithçka të mundur për të parandaluar një tjetër ’11 Shtator’ apo sulme të tjera të rënda. Është bërë shumë që na bën të ndjehemi më të sigurt, por shumë pak për të qenë të sigurt nga terrori global dhe kërcënimet kriminele, thotë Nobëll.(v.t.)
XS
SM
MD
LG