Ndërlidhjet

Mercenarët e Gadafit

  • RFE /RL

Pamje nga Libia...

Pamje nga Libia...

Qeveria e Ukrainës ka njoftuar se po i shqyrton raportet e Këshillit Tranzicional Kombëtar, se e ka zënë një numër të shtetasve të Ukrainës dhe të vendeve të tjera të Evropës Lindore, të cilët akuzohen se kanë luftuar si mercenarë për Muamer Gadafin.

Ministria e jashtme e Ukrainës, tha se 22 ukrainas po mbaheshin në Tripoli nga ana e Këshillit Tranzicional Kombëtar, i cili i akuzon ata se kishin shërbyer si snajperistë për forcat e Gadafit.

Të arrestuarit i hedhin poshtë akuzat dhe pretendojnë se në Libi punonin si inxhinierë për kompaninë ruso-libiane të naftës, Dakara.

Ukraina kishte lidhje të gjëra ekonomike me qeverinë e Gadafit dhe besohet se afro 1500 ukrainas ishin në Libi, kur shpërthyen luftimet atje, në muajin shkurt.

Nga ana tjetër, Ukraina e ka njohur Këshillin Tranzicional Kombëtar të Libisë, më 1 shtator të këtij viti.

Numri i saktë i të arrestuarve dhe kombësia e tyre nuk është e qartë, por raportet në media thonë se në mesin e tyre mund të ndodhen edhe bjellorusë, evro-lindorë të tjerë, dhe ukrainas.

Abdel Maxhid Ibrahim, një nga komandantët e Këshillit Tranzicional Kombëtar, u tha gazetarëve në Tripoli, se personat nga Evropa Lindore kishin hyrë në Libi nëpërmjet Tunizisë fqinje, me qëllim që të luftojnë për Gadafin.

Ne ishim të njoftuar nga disa burime të inteligjencës se një grup i snajperëve me shtetësi të ndryshme evropiane, përfshirë ukrainas, bjellorusë dhe të tjerë, ishin sjellë në Libi nga ana e regjimit të Libisë. Sipas informacioneve që ne i morëm, grupi kishte hyrë në Libi nëpër portin Nufeida në Tunizi, para se ata të lëviznin në Tripoli”, tha Abdel Maxhid Ibrahim.

Gjenerali Abdul Hafiz Keilani, në konferencën e njëjtë për gazetarë në Tripoli, tha se të arrestuarit pretendonin se ishin punëtorë të një kompanie të naftës dhe se dokumentet e tyre sugjeronin se ata kishin hyrë në Libi më 11 korrik. Në valixhet e tyre kishte uniforma dhe dokumente kuazi-ushtarake.

Kur ne i kontrolluam valixhet e tyre, ne gjetëm uniforma ushtarake dhe municion për kallashnikov dhe ne e gjetëm edhe një dokument, që i autorizon ata të lëvizin përreth. Dokumentet janë lëshuar nga brigada al-Kaff, që është njëra nga grupet kryesore për Gadafin, që lufton kundër kryengritësve”, tha gjeneral Keilani.

Por, përfaqësuesi tjetër i Këshillit Tranzicional Kombëtar, Othman bin Othman, është cituar nga agjencia AP se i ka përgënjeshtruar pohimet se te personat e arrestuar është gjetur armatim, por ai kishte theksuar se ata kishin hyrë në Libi ilegalisht “gjatë një periudhe shumë të ndjeshme”.

Agjencia AP, po ashtu, ka raportuar se forcat e KTK-së i kanë zënë më se 5 mijë vetë, të cilët mbahen në qendra të improvizuara të arrestit.

Organizata Human Rights Watch (HRW), i ka bërë thirrje KTK-së që t’i ndalë arrestimet “arbitrare” të mercenarëve të akuzuar dhe që ta krijojë një panel të besueshëm për rishqyrtimin e akuzave të këtilla.

Besohet se Gadafi kishte rekrutuar mijëra mercenarë, shumica prej tyre nga vendet e nën-Saharës Afrikane.

Por HRW, po ashtu, ka kërkuar nga KTK-ja, që ta parandalojë diskriminimin kundër njerëzve me lëkurë të zezë, me pretekstin se ata ndoshta mund të jenë mercenarë.

Pak ditë më parë, disa shtetas të Somalisë, të akuzuar se kanë luftuar për Gadafin, janë liruar nga arresti.
(f. b.)

XS
SM
MD
LG