Ndërlidhjet

Byhler: Potenciali i dhunës në veri i lartë


Erhard Byhler
Erhard Byhler
Gjendja në veri të Kosovës mbetet ende shpërthyese ku potenciali i dhunës mbetet i lartë, ka deklaruar të martën komandanti në largim i KFOR-it, gjenerali gjerman, Erhard Byhler.

Ai ka tërhequr vërejtjen se përderisa politika po e humb ndikimin e vet te popullata, strukturat kriminale po sundojnë atje, dhe në mungesë të funksionimit të organeve të rendit dhe ligjit, këto struktura po i diktojnë rregullat e veta.

Gjatë një konference që Byhler mbajti në përmbyllje të mandatit të tij, ai ka ftuar të gjithë që të bëjnë një ndarje të qartë ndërmjet popullatës serbe dhe strukturave kriminale, duke thënë se nuk mund të bëhet asnjë krahasim, pasi që atje, sipas tij, strukturat kriminale janë një pakicë, kurse popullata që dëshiron të jetojë në paqe e qetësi, përbën shumicën.

Por, ka nënvizuar Byhler, kjo popullatë po i nënshtrohet frikësimit dhe kërcënimit pikërisht nga strukturat e krimit të organizuar.

Komandanti në largim i KFOR-it e ka përshkruar gjendjen në veri aktualisht si të qetë, por edhe me potencial shpërthyes.

Potenciali për dhunë mbetet ende i lartë. Kriminelët dhe strukturat radikale vazhdojnë të ndikojnë tek popullata në veri duke kërkuar mbështetje më të fuqishme”, tha Byhler.

Ai tha po ashtu se interesi më i madh i këtij organizimi kriminal është ai financiar, ndonëse parashikoi se në të ardhmen këto mundësi për financa po u zvogëlohen.

Zgjidhja e problemeve në veri, nënvizoi ai, duhet kërkuar përmes dialogut.

Ai tha se një rol të madh këtu mund të luaj edhe Serbia. Sipas bindjeve të tij, edhe Serbia ka interes të madh që kriminelët të kapen dhe hiqen qafesh.

Byhler ka lavdëruar disa hapa që Policia e Serbisë i ka ndërmarrë në anën tjetër të kufirit për reduktimin e kontrabandës, sidomos me derivate të naftës.

Ne duhet të vazhdojmë së bashku me policinë për kapjen e strukturave kriminale, tha Byhler, duke tërhequr vërejtjen se strukturat kriminale po e lëkundin veriun, përderisa politika po e humb kontrollin tek popullata.

Disa nga këta radikalë janë të lidhur me bandat e organizuara të rrugës dhe huliganët të cilët janë të përgatitur dhe kanë përdorur në fakt armët e zjarrit, eksplozivët dhe koktej molotovi”, ka thënë Byhler.

Për shkak të këtyre rrethanave në veri nuk ka pasur një funksionim të organeve të drejtësisë e sigurisë, prandaj edhe ekstremistët i përcaktojnë rregullat e veta të cilat ua imponojnë edhe popullatës, tha Byhler.

Ai i ka siguruar kosovarët se në pjesën e parë të vitit 2012 nuk pritet ndonjë vendim i ri për shkurtimin e numrit të trupave të KFOR-it në Kosovë.

Ai tha se shkurtimet e mëtutjeshme të trupave mund ta sillnin KFOR-in në situatë që të mos mund të ballafaqohej me sfidat siç ishin ato në veri të Kosovës.

Po të martën, edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell ka folur për zhvillimet e fundit në veri.

Dell tha se javëve të fundit kemi parë sesi liderët lokalë dhe institucionet e Kosovës mund të punojnë së bashku për të ndërtuar një ambient të sigurt.

Mendoj se përparësia pas 25 korrikut qëndron pikërisht në faktin sesi liderët politikë të përgjegjshëm, pastaj udhëheqësit religjiozë të të gjitha komuniteteve në Kosovë, vendosën besimin në institucione. Dhe si rezultat nuk pamë dhunën ndëretnike sikurse në vitin 2004, por pamë një vend stabil, paqësor dhe rezistues ndaj atyre që tentuan të provokojnë konflikt ndëretnik midis komuniteteve”, ka thënë Dell.

Ai tha po ashtu se SHBA është e përkushtuar për të parë zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisarit, përfshirë edhe krijimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut.

“Siç e kemi parë në komunat e reja në Kosovë, liderët legjitimë të zgjedhur janë më të përgjegjshëm ndaj nevojave të qytetarëve”, ka deklaruar Dell.

Ai tha po ashtu se ky është proces i duhur që përmes liderëve të zgjedhur, strukturat paralele në prapavijë do të zhduken, sepse qytetarët nuk do të kenë nevojë t’iu drejtohen atyre.
XS
SM
MD
LG