Ndërlidhjet

logo-print

BIK-u respekton rrugën institucionale


Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit që ndërlidhen me realizimin e të drejtave fetare në vend. Këto të fundit, siç thuhet, kanë të bëjnë me të drejtën e shkollimit në sistemin publik për nxënësit që bartin shaminë, futjen e edukatës fetare në shkolla, ndarjen e vendit për xhaminë në Prishtinë etj.

"Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës angazhohet që të realizohen të gjitha të drejtat e besimtarëve, e para së gjithash e drejta për shkollim, punësim, arsimim e vend dinjitoz për xhami. Konsiderojmë që këto të drejta janë legjitime dhe në bashkëpunim me institucionet e vendit do të gjejmë zgjidhje ligjore e kushtetuese", thuhet në kumtesën e BIK-ut.

Sipas së njëjtës, BIK-u nuk mbështet dhe as që do të mbështesë "asnjë lloj proteste, manifestimi, qëndrimi a platforme politike, që është bërë dhe shfaqur kohëve të fundit".

"Kryesia e Bashkësisë Islame shpreh gatishmërinë për respektimin e rrugës institucionale dhe jemi të bindur që institucionet tona me përgjegjësi do të kryejnë detyrat e veta ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës, besimtarëve tanë dhe qytetarëve të Kosovës", thuhet pos tjerash në komunikatën e BIK-ut.
XS
SM
MD
LG