Ndërlidhjet

logo-print
"International Crisis Group"

Shkruan: Marko Prelec, drejtor për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave



Serbia dhe Kosova janë duke i rritur tensionet në këtë fushë pavarësisht arritjes së marrëveshjeve teknike në tryezën e bisedimeve.

Më 2 shtator, BE-ja ndërmjetësoi një marrëveshje mbi vulat doganore dhe regjistrin kadastral. Vëzhguesit mund të thonë se kriza që ka nisur më 25 korrik në kufi ka kaluar.

Mirëpo, kjo nuk qëndron. Si një hap i parë i rëndësishëm, marrëveshja nuk e përcakton se kush në fakt do të kontrollojë dy pikat e kontestuara kufitare dhe të ardhurat që gjenerojnë nga doganat.

Mosmarrëveshja reale është ajo mbi statusin e veriut të Kosovës.

Beogradi ende beson se mund ta ndajë Kosovën duke e mbajtur veriun e banuar me serbë.

Prishtina synon të mbroj sovranitetin e saj praktik në tërë territorin e saj. Derisa të dyja palët janë në kërkim të një kompromisi, situata rrezikon të përkeqësohet shpejt.

Prishtina është transformuar nga operacioni i 25 korrikut.

Kryeministri, Hashim Thaçi, i cili ishte tejet i dobët disa muaj më parë duke mos mundur ta vë kandidatin e tij të preferuar në postin e presidentit, duke pasur kolegë mbi të cilët rëndojnë akuzat për krime lufte, dhe i cili ballafaqohej me probleme ekonomike, tani është lideri suprem në Kosovë. Opozita nuk mund ta prekë atë.

Por Thaçi, nuk ka arritur mjaft për të siguruar vendin e tij në histori: e gjitha që ai ka bërë është ndërprerja e përkohshme e kontrabandës në kufi, ai ende duhet të vendos pjesëtarët e doganës në atë kufi; ai duhet të rihapë gjykatën në Mitrovicë, të rikthejë kontrollin e plotë mbi pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës dhe, në fund, të mbajë zgjedhjet në veri.

Përndryshe, me kalimin e javëve, operacioni në kufi do të shihet më shumë si një lojë reklamuese se sa si një hap drejt integrimit të veriut.

Zyrtarë të lartë kosovarë i kanë thënë vazhdimisht Grupit Ndërkombëtar të Krizave se Prishtina do të vazhdojë këtë veprim në vjeshtë “me çdo kusht”.

Ata nuk duken të shqetësuar për kërkesat ndërkombëtare që të përmbahen nga provokimet dhe veprimet e njëanshme…

Serbët e veriut do t’i përgjigjeshin me një varg veprimesh të padhunëshme-kryesisht me bllokada rrugore dhe demonstrata. Besimi i Prishtinës dhe disa kryeqyteteve të tjera në botë se serbët janë të gatshëm për dhunë e kërcënime apo se janë të paguar për ta bërë këtë - është i gabueshëm.

Ekzistojnë disa qindra serbë të armatosur rëndë, shumica të ndërlidhur me grupet kriminale të cilët kishin shtënë në drejtim të zyrtarëve kosovarë, të EULEX-it dhe të KFOR-it.

BE-ja ka ndihmuar në ndërmjetësimin e dialogut teknik në mes të Kosovës e Serbisë, i cili solli marrëveshjen e 2 shtatorit mbi vulat doganore.

Por, marrëveshjeve që funksionojnë në letër ende u duhet mbështetje bazike në fazën e zbatimit. BE-ja duhet të vazhdojë të punojë efektivisht në dogana.

Në këtë rrugë qorre, BE-ja duhet të lëvizë përpara duke dërguar pjesëtarët e saj në pikat kufitare, të mbledh taksat doganore në pajtim me ligjin kosovar dhe t’i depozitojë ato në një llogari me të cilën do të mundësohej zbatimi i projekteve të Prishtinës për veriun.

Çështja kyçe është të punohet kundër kontrabanduesve dhe kriminelëve të tjerë dhe jo kundër mënyrës së si jetojnë njerëzit në veri, që përfshin përfaqësuesit e tyre komunalë të zgjedhur në përputhje me ligjin serb.

BE-ja dhe shtetet anëtare gjithashtu duhet të kenë një rol karshi Serbisë-një shtet potencial anëtar.

Gjetja e një kompromisi për doganat është urgjente. Gjetja e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për veriun është shumë më e rëndësishme. Beogradi duhet ët kuptojë se ndarja është e pamundshme dhe ta krijojë një strategji të re. Shtetet e Bashkuara dhe shtete të rëndësishme të BE-së nuk do të lejojnë që Kosova të detyrohet ta blejë pavarësinë e saj me tokë.

Këmbëngulja në një qasje sipas të cilës Prishtina, Uashingtoni e Brukseli do të pajtoheshin ndonjë ditë për ndarjen ose shkëmbimin e territoreve para normalizimit të raporteve Serbi-Kosovë, është një gabim i shtrenjtë për Partinë Demokratike që po qeverisë në Serbi.

Mirëpo, në të njëjtën kohë, Kosova po gabon nëse beson se do të mund ta fitojë veriun përmes përdorimit të forcës. Vjeshta ka filluar në Kosovë, por muajt e ardhshëm do të jenë një test vendimtar për strategjinë e BE-së për mbajtjen e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor përmes dialogut dhe procesit të anëtarësimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG