Ndërlidhjet

Ngjarja e "çuditshme"


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale, ditë më parë është zhdukur laptopi në të cilin kanë qenë të regjistruara barnat që ishin lejuar të futën në tregun farmaceutik të Kosovës.

Por, më pas, po në këtë institucion, janë zhdukur edhe barnat e konfiskuara nga inspektorët farmaceutikë, nga disa barnatore të Kosovës.

Sejdë Tolaj, drejtor i administratës dhe buxhetit, në AKPM, thotë se tashmë është formuar një komision i veçantë, prej 10 farmacistësh, i cili është duke hetuar rastin e zhdukjes se barnave.

Sipas Tolaj, njëri nga inspektorët farmaceutik, ka vërejtur se barnat e konfiskuara të cilat i kishte sjellë në objektin e AKPM-së, pas një periudhe kohore, disa nga to kanë munguar.

Komisioni që është ngritur për evidentimin e barnave të konfiskuara, pjesë e së cilës ka qenë edhe një inspektor, ai inspektor në momentin kur kanë filluau të numërohen barnat, ka thënë që mungojnë disa barna që unë i kam sjellë këtu, barna të cilat kanë qëndruar në korridoret e AKPM-së, e që nuk e kanë vendin këtu. Ai thotë që në bazë të raportit të policisë së pjesës veriore, që janë konfiskuar në pjesën veriore, nuk janë këtu. Bëhet fjalë për inspektorin Rifat Muriqi, ky i ka ngritur dyshimet me gojë, me shkrim nuk ka asgjë”, sqaron Tolaj.

Inspektori farmaceutik, Rifat Muriqi, i përmendur nga zoti Tolaj, nuk dëshiron të flasë lidhur më këtë çështje. Ai thotë se nuk është i autorizuar të flasë për media.

Pa më dhënë urdhër unë nuk flas. Komuniko me kryeshefin, ai e ka iniciuar problemin dhe ai e di më së miri”, thotë ai.

Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se për vjedhjen e laptopit, si dhe zhdukjen e një sasie të barnave, informatën zyrtare e kanë marrë nga vetë ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të AKPM-së.

Kam informatë nga kryeshefi ekzekutiv për zhdukjen e një laptopi zyrtar dhe zhdukjen e një sasie të barnave të konfiskuara. Dhe meqenëse nuk kam informata shtesë dhe tërë procesi është nën hetime, duhet të presim dhe të dimë çka po ndodhë”, thekson Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.

E zyrtarë brenda Ministrisë së Shëndetësisë, thonë se vetë fakti i zhdukjes së të dhënave shumë të rëndësishme nga një laptop, si dhe zhdukja e barnave shumë të shtrenjta, e shton dyshimin se është bërë nga persona që e dinë veprimtarinë farmaceutike dhe se nuk është e rastësishme.

Sidoqoftë, AKPM-ja, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, ka pak punë me palë, edhe ato palë janë kompanitë të cilat kërkojnë qoftë regjistrimin e barnave apo janë përfaqësues të kompanive që kërkojnë leje të importit.

Sipas tyre, e gjithë ngjarja është e çuditshme.

E autoritetet e rendit tashmë kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se është e njoftuar për rastin në fjalë.

Sipas tyre, policia ka qenë në vendin e ngjarjes dhe rasti është duke u hetuar.
XS
SM
MD
LG