Ndërlidhjet

logo-print

Prizren: U arrestuan tre aktivistë të Vetëvendosjes


Policia e Kosovës ka arrestuar në Prizren tre aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët ishin mbledhur para Kuvendit Komunal të Prizrenit, në shenjë pakënaqësie me projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, i cili po shqyrtohet nga asambleja komunale.

Zëdhënësi rajonal i policisë në Prizren, Hazir Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se “policia ka pasur një konfrontim të lehtë me aktivistë të lëvizjes ‘Vetëvendosje’”.

“Kemi pasur një konfrontim të lehtë me aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje, është dashur t’i largojmë nga porta qendrore e asamblesë komunale, për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe mos-zbatim të urdhërit të policisë. Në stacionin policor janë shoqëruar tre qytetarë dhe që të tretë me procedurë të shkurtër do të dërgohen në gjykatën komunale”, theksoi Berisha.

Gjatë këtij konfrontimi, zëdhënësi i rajonit të Prizrenit Hazir Berisha tha se kanë marrë lëndime të lehta edhe tre policë.

Shoqëria civile dhe disa nga partitë politike në opozitë kanë shprehur kundërshtimin e tyre me këtë projektligj, duke pretenduar se “ai i jep një zë më të fuqishëm Kishës Ortodokse” në Kosovë.
XS
SM
MD
LG