Ndërlidhjet

logo-print

EULEX-i heton vendin e krimit


Policia e EULEX-it

Policia e EULEX-it

Policia e EULEX-it e mbështetur nga forcat e KFOR-it, të enjten ka ndërmarrë një aksion në aksin rrugor ndërmjet Zubin Potokut dhe fshatit Zupqë, për të bërë hetime lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, që kishte ndodhur me 26 korrik të këtij viti.

Këtë e kanë konfirmuar zyrtarët e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Zëdhënësja e këtij misioni Irina Gudeljeviq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se hetimet janë bërë në vendin ku ka ndodhur krimi.

Ky hetim i vendit të krimit është lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, më 26 korrik të këtij viti dhe gjatë kohës së hetimit, rruga ndërmjet Zubin Potokut dhe Zupqës ka qenë e mbyllur përkohësisht. Hetimin lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, po e bëjnë së bashku EULEX-i dhe Policia e Kosovës. Unë nuk mund të zbuloj kurrfarë detaji lidhur me hetimin, sepse kjo do të mund ta rrezikonte hetimin”, tha zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeljeviq.

Hetimet lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, i kishte paralajmëruar më parë EULEX-i dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kishin theksuar se tashmë kanë identifikuar personat e dyshimtë lidhur me këtë krim.

Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë ritheksuar përkushtimin e tyre për t’i rifunksionalizuar vendkalimet kufitare 1 dhe 31, të cilat gjenden në veriun e vendit.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se paralajmërimet, të cilat i ka bërë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaqi, lidhur me rifunksionalizimin e vendkalimeve kufitare në veri të vendit, do të bëhen realitet, pavarësisht kundërshtimeve të cilat i ka shprehur Beogradi zyrtar si dhe serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

Natyrisht që ne jemi të përkushtuar, në koordinim me KFOR-in dhe me EULEX-in, që ta bëjmë këtë punë. Kështu që, ne prej Serbisë nuk presim përgjigje tjetër, por ata nuk mund të përzihen në punët e brendshme të Kosovës. Ne kemi kapacitete. Edhe një herë po e them se në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in ne do ta bëjmë këtë punë”, tha Rexhepi.

Ndërkaq, Marko Jakshiq, lider politik i serbëve të veriut të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se veprimi eventual i Qeverisë së Kosovës për rifunksionalizimin e vendkalimeve kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, do të ishte në kundërshtim me marrëveshjen e arritur në mes të zyrtarëve të Beogradit me KFOR-in dhe ky i fundit me Prishtinën zyrtare.

Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të bëjë ndonjë veprim që bie ndesh me marrëveshjen me KFOR-in, sepse kapacitetet e saj, sipas tij, janë të pamjaftueshme për një gjë të tillë.

Më duket se nuk kanë kapacitete nga ana e tyre, që këtë ta bëjnë vet. Ata mund ta bëjnë këtë vetëm me ndihmën e KFOR-it. Në anën tjetër, KFOR-i është i lidhur me marrëveshjen që ka me Qeverinë e Serbisë. Faktikisht, asgjë nuk mund të ndryshojë, derisa nuk bëhet një marrëveshje tjetër. Në çfarëdo rasti, nëse kjo ndodhë, mendoj se do ta destabilizonte gjendjen në veri të Kosovës”, tha Jakshiq.

Ai ka theksuar se paralajmërimet e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, mund të provokojnë reagimin e serbëve në veri të vendit.

Mendoj se reagimet mund të jenë ashtu ç’farë kanë qenë deri më tash, në mënyrë të qetë dhe pa dhunë”, tha Jakshiq, duke shtuar se serbët, përmes metodave, siç i quajti ai, gandiane, nuk do të lejojnë Qeverinë e Kosovës që të vendosin doganierët dhe policët kufitar në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit.

Ndryshe, zyrtarët e Bashkimit Evropian, i kanë porositur zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës, që të mos ndërmarrin, siç kanë thënë, veprime të njëanshme në veriun e vendit.

Por, Ministri i Brendshëm, Rexhepi, ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës i ka prioritetet e veta.

Unë e kam thënë mendimin tim lidhur me këtë. Ata i kanë prioritetet tjera. Ndërkaq, ne e kemi prioritet vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit”.

Sidoqoftë, zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, në vazhdimësi kanë përsëritur qëndrimin se nuk do të lejojnë kthimin e gjendjes që ishte para 25 korrikut të këtij viti.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG