Ndërlidhjet

Kosovë: Policia raporton për protesta në pjesën veriore


Tubime protestuese janë shënuar sot në disa qytete të pjesës veriore të Kosovës, ka njoftuar policia e Kosovës.

Këto protesta janë mbajtur në pjesën veriore të Mitrovicës, në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Në njoftim mëtutje theksohet se “rreth 1 mijë persona të tubuar, që konsiderohen punonjës të qendrës spitalore dhe të shtëpisë së shëndetit në veri të Mitrovicës, kanë marshuar në rrugët e qytetit, deri tek ura kryesore e lumit Ibër, duke shënuar një protestë të qetë për gjysmë ore”.

Policia e Kosovës, nga stacioni në veri të Mitrovicës, për së afërmi e ka monitoruar këtë protestë.

Nuk ka pasur incidente gjatë kohës së protestave, thotë policia.

Në mëngjes është mbajtur një protestë para objektit të gjykatave në veri të Mitrovicës.

Policia beson se protestat e tilla “janë të motivuara me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës”.

Në fund të njoftimit nga policia e Kosovës, thuhet se “situata e përgjithshme e sigurisë, pas përfundimit të protestave, paraqitet e qetë”.
XS
SM
MD
LG