Ndërlidhjet

Maqedoni, zgjidhet kontesti për regjistrimin e popullsisë


Komisioni Shtetëror për Regjistrimin e Popullsisë ka njoftuar kapërcimin e kontestit mes anëtarëve maqedonas dhe shqiptarë rreth përbërjes etnike të regjistruesve.

Zgjidhja, e cila është arritur pas ndërhyrjes së qeverisë, parasheh që përbërja e regjistruesve të reflektojë përbërjen etnike të popullatës nëpër komuna, ku realizohet regjistrimi.

Kjo zgjidhje në përgjithësi është e pranueshme për anëtarët shqiptarë, pasi, sipas nënkryetarit të KSHR-së, Abdylmenaf Bexheti, “ regjistrimi në vendbanimet me popullatë shqiptare do realizohet nga një regjistrues shqiptar dhe një regjistrues i bashkësisë tjetër etnike, që do të caktohet varësisht se cili komunitet zë vendin e dytë pas shqiptarëve në përqindje”.

Anëtarët maqedonas kërkonin që regjistrimi të mos relizohet në bazë të përqindjes së popullatës, por në çdo venbanim të ketë dhe regjistrues maqedonas, pa marrë parasysh nëse aty jeton ose jo popullatë maqedonase.

Sipas Komisionit Shtetëror për Regjistrimin, tejkalimi i këtij kontesti ka hapur rrugën për realizimin e regjistrimit të popullsisë nga data 1 deri më 15 tetor të këtij viti.
XS
SM
MD
LG