Ndërlidhjet

Greqia inkurajon dialogun


Athinë
Athinë
Shtytje për vazhdimin e bisedimeve, Prishtina dhe Beogradi kanë marrë sot edhe nga shteti grek. Ministri i Jashtëm i këtij vendi, Stavros Lambrinidis, tha se procesi i dialogut është faktor stabilizues në rajon.

“Armët nuk janë përgjigje, luftimet nuk janë përgjigje, ndarjet nuk janë përgjigje”, tha Lambrinidis.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku ka qëndruar për vizitë dhe ka takuar zyrtarë të lartë të vendit. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Hashim Thaçi, Lambrinidis ka inkurajuar palët të mos heqin dorë nga dialogu. Ai nuk ka kursyer mbështetjen e Athinës në këtë drejtim, por as të Bashkimit Evropian.

“Beogradi dhe Prishtina kanë bërë përparim konkret dhe ju duhet të vazhdoni në këtë rrugë. Bashkimi Evropian dhe Greqia në veçanti do të jenë në anën tuaj. Bashkimi Evropian e do zgjerimin me Ballkanin dhe kjo nuk është thjesht një slogan”, tha Lambrinidis.

Ministri grek, një ditë më parë, ka qëndruar në Beograd, ku ka vlerësuar, siç ka thënë ai, pjesëmarrjen konstruktive të Serbisë në bisedime. Ai i ka porositur autoritetet serbe se dialogu është “rruga e drejtë”.

“Çdo mënyrë tjetër është e rrezikshme dhe nuk është mënyra evropiane”, ka ritheksuar Lambrinidis sot në Prishtinë.

Greqia – krahas katër shteteve të tjera të BE-së, përkatësisht Sllovakisë, Qipros, Rumanisë dhe Spanjës – nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës. Lambrinidis tha se qëndrimi i Athinës mbetet i pandryshueshëm.

“Sot, jam këtu si një mik dhe fqinj për t’ju treguar se suksesi juaj - suksesi në dialog, në reformat e gjera që i keni përpara - është sukses për Greqinë, Ballkanin dhe Evropën; është sinjal i shpresës që mund të dërgoni; është një mesazh i një miku për një mik dhe ky mbetet mesazh për përkushtimin e grekëve për njerëzit tuaj”, tha Lambrinidis.

Ndonëse kërkesa për njohje nga shteti grek mbetet në fuqi, kryeministri Thaçi tha se Kosova e respekton vendimin e Athinës, “në bazë të interesave të shtetit dhe të popullit të Greqisë”.

Thaçi ka falënderuar autoritetet e larta greke për, siç ka thënë, mbështetjen e plotë të Athinës për perspektivën evropiane të Kosovës.

Kryeministri ka folur edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë.

“Kosova dhe Greqia kanë raporte të shkëlqyeshme bashkëpunimi. Greqia ka prezencën e saj në KFOR dhe EULEX, ndërsa ne e mirëpresim dhe e falënderojmë për prezencën e saj”, tha Thaçi.

Ndërkaq, çështja e veriut të Kosovës nuk ka kaluar pa u prekur as sot. Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në lidhje me paralajmërimet e serbëve për bllokada të sërishme nëse vendkalimet kufitare në veri kontrollohen nga doganierët kosovarë, Thaçi shfrytëzoi rastin të përsërisë qëndrimin e tij: “Nuk ka kthim prapa”.

“Qëndrimet nuk i ndryshoj çdo ditë. Strukturat ilegale dhe kriminale do të ballafaqohen me drejtësinë”, tha kryeministri kosovar. (v.t.)
XS
SM
MD
LG