Ndërlidhjet

Shtëpia e Bardhë merr "seriozisht" kërcënimin terrorist


Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, tha se Shtëpia e Bardhë po e merr “seriozisht” kërcënimin terrorist për Nju Jorkun dhe Uashingtonin, ndonëse është i pakonfirmuar.

Të enjten – vetëm pak ditë para 10-vjetorit të 11 Shtatorit - zyrtarët federalë kanë marrë një kërcënim të besueshëm, por të pakonfirmuar për shpërthimin e makinave bombë në Nju Jork dhe Uashington.

“Kjo është pjesa e parë e besueshme e informacionit që kemi marrë. Ne nuk mund ta konfirmojmë atë. Ne po bëjmë gjithçka që është në fuqitë tona”, tha Bajden.

Sipas tij, zyrtarët anti-terrorizëm po hetojnë kërcënimin që nga vrasja e Osama bin Ladenit, katër muaj më parë.

“Brengë e vërtetë është se ai drejtohet nga një individ i vetëm dhe aktori i vetëm është më shqetësues”, tha Bajden.

Ai ka këshilluar qytetarët amerikanë të vazhdojnë jetën e tyre normale, por të jenë vigjilentë dhe të raportojnë për çdo gjë që mund t’iu duket e dyshimtë.
XS
SM
MD
LG