Ndërlidhjet

Kontrabanda, e cila në Kosovë për vite të tëra ka qenë mjaft e përhapur, sipas autoriteteve doganore, ka shënuar rënie. Kjo rënie, sipas tyre, është rezultat i kontrollit të pikave kufitare në veri nga ana e KFOR-it dhe e Policisë së Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilevci, kontrabanda aktualisht është mjaft e reduktuar. Ai thotë se sasia e mallrave të konfiskuara, nuk është në vlera të larta.

“Për momentin mund të themi se kontrabanda në Kosovë është mjaft e reduktuar. Kjo çështje ka qenë e lidhur shumë me mosfunksionimin e dy pikave kufitare në veri”, thotë Stavilevci.

Nga mosmbikëqyrja e pikave doganore në kufirin Kosovë – Serbi, Kosova, çdo vit, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në vend, ka humbur miliona euro.

Moskontrollimi i pikave doganore nga institucionet e Kosovës u kishte mundësuar kontrabandistëve që të fusin mallra pa iu nënshtruar obligimeve fiskale.

Njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë thonë se kontrabanda është një dukuri e përhapur në të gjitha vendet e rajonit, e edhe në shtetet më të zhvilluara, por në përmasa shumë më të vogla. Në Kosovë, sipas tyre, kjo dukuri ka qenë në nivele mjaft të larta.

Eksperti i ekonomisë, Mejdi Bektashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se për vite të tëra, Kosova ka pësuar humbje të mëdha nga kontrabanda.

Humbjet nga ky fenomen janë shumë të mëdha, në veçanti për Kosovën. Ato kalojnë mbi 300 milionë euro. Por, me masat e fundit, me mbylljen e pikës kufitare 1 dhe 31, si dhe me zbatimin e masës së reciprocitetit, (kontrabanda) është zvogëluar në masë të dukshme, por asnjëherë nuk mund të themi se është eliminuar tërësisht”, thekson Bektashi.

Pranimi i vulave të Doganave të Kosovës nga Beogradi zyrtar, sipas tij, do të ulë në masë të madhe ekonominë joformale dhe kjo do të ndihmojë në forcimin e arkës shtetërore.

Bektashi thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i përdorë të gjitha masat dhe të aplikojë ndëshkime të mëdha ndaj atyre që shkelin rregullat në fuqi.

“Nuk mund të themi se janë ndërmarrë të gjitha masat. Në shtetet e zhvilluara luftohet me të gjitha masat që janë në dispozicion. Ne ende nuk kemi legjislacion adekuat. Besoj se ne si shtet nuk mund të hyjmë në Unionin Evropian dhe nuk mund të ecim me shtetet e rajonit, nëse nuk zbatohen masat shumë rigoroze ndaj këtij fenomeni”, thotë Bektashi.

Të dhënat e fundit të autoriteteve të Kosovës tregojnë se janë rritur të hyrat doganore. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileveci, thotë se rritja e të hyrave dëshmon zvogëlimin e kontrabandës.

“Afër 70 milionë euro ka më shumë të hyra sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo nënkupton se të hyrat janë rritur si rezultat i zvogëlimit të kontrabandës”, thekson Stavilevci.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se me kthimin e doganierëve kosovarë në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, të cilat ishin burim i kontrabandës, kjo dukuri do të ndalej në një masë shumë të madhe.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG